Lajme
Shembet një minierë ari në Sudan, humbin jetën 15 minatorë
7 Korrik, 2026 | 8:46 am

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në veri të Sudanit, ku të paktën 15 punëtorë kanë humbur jetën pas shembjes së një miniere ari.
Sipas Kompanisë Sudaneze të Burimeve Minerale, aksidenti ndodhi në minierën Mohamed Tawfiq, në zonën Samna, në distriktin Wadi Halfa, në shtetin Verior.
Autoritetet bëjnë me dije se një tjetër punëtor mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, trupat e viktimave iu dorëzuan familjarëve pas përfundimit të procedurave përkatëse.
Kompania njoftoi se ekipet e saj mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe ekipet e shpëtimit, zhvilluan operacione për nxjerrjen e viktimave dhe menaxhimin e situatës.
Sipas hetimeve paraprake, shembja dyshohet të ketë ndodhur pasi një grup minatorësh hynë në galeri, megjithëse miniera ishte mbyllur më herët nga autoritetet.

















































