Lajme
Mori vajzën 6-vjeçare pa leje dhe u arratis nga Spanja, 43-vjeçari ndalohet në Kosovë
28 Qershor, 2026 | 10:57 am

Sipas mediave në Spanjë, burri mori të bijën nga ishulli i Majorkës dhe u arratis, duke e fshehur fillimisht në bagazhin e automjetit për t’iu shmangur kontrolleve. Pas largimit nga vendi, autoritetet spanjolle humbën çdo gjurmë të tij.
Hetimet zbuluan se ai kishte ndërmarrë disa veprime për të vështirësuar lokalizimin, mes tyre mbylljen e llogarive bankare, fshirjen e profileve në rrjetet sociale dhe ndryshimin e pamjes së jashtme.
Falë bashkëpunimit mes autoriteteve spanjolle, agjencive evropiane të zbatimit të ligjit dhe Policisë së Kosovës, u arrit të konfirmohej se 43-vjeçari dhe vajza ndodheshin në Kosovë.
Më 24 qershor, policia kosovare zhvilloi operacionin që çoi në arrestimin e të dyshuarit dhe gjetjen e vajzës 6-vjeçare, e cila, sipas autoriteteve, ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas ndërhyrjes, e mitura iu dorëzua institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa 43-vjeçari u vendos në paraburgim, në pritje të procedurave gjyqësore dhe shqyrtimit të kërkesës për ekstradim në Spanjë.


















































