Lifestyle
Alarm i kuq në Francë! Termometri prek 40°C, merren masa emergjente për qytetarët
21 Qershor, 2026 | 4:07 pm

Franca ka ndërmarrë një sërë masash emergjente për t’u përballur me valën e të nxehtit afrikan që ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës.
Autoritetet kanë ndaluar sportet në natyrë dhe konsumimin e alkoolit në ambiente publike. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, temperaturat gjatë së shtunës arritën deri në 40 gradë Celsius.
Ndërkohë, për ditën e diel, 21 qershor, është shpallur alarmi i kuq në një të tretën e territorit të vendit.
Mbi 26 milionë banorë jetojnë në zonat e klasifikuara me rrezik maksimal. Sinoptikanët paralajmërojnë se situata pritet të rëndohet gjatë ditëve në vijim, me rritje të mëtejshme të temperaturave.
Mungesa e sistemeve të ajrit të kondicionuar në pjesën më të madhe të ndërtesave në Francë mbetet një sfidë kryesore për popullsinë.
Për shkak të të nxehtit ekstrem, kryetarët e bashkive në disa qytete kanë vendosur mbylljen e shkollave gjatë orëve të pasdites, si një masë mbrojtëse për fëmijët.
Vëmendja kryesore e Pallatit Élysée është përqendruar te të moshuarit. Gjatë valës së të nxehtit në vitin 2003, në Francë humbën jetën rreth 15 mijë të moshuar.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nxehtësia ekstreme ka shkaktuar rreth 200 mijë viktima në të gjithë Evropën gjatë 4 viteve të fundit.
OBSH ka paralajmëruar se muajt e kësaj vere pritet të regjistrojnë temperatura mbi mesataren historike.
















































