Kryefjala Logo

Can Yaman ‘ndez’ Horën e Arbëreshëve me rrëfimin e rrallë për babain: Gjaku shqiptar s’bëhet ujë!

17 Maj, 2026 | 4:19 pm

Aktori i njohur turk, Can Yaman, ishte një nga emrat më të komentuar të fundjavës në Siçili, ku u prit me shumë entuziazëm nga publiku arbëresh dhe fansat që kishin mbushur sheshin për ta parë nga afër.

Ylli i serialit “Sandokan” mori pjesë si i ftuar special në “Cannolo Fest”, festivalin që zhvillohet në Piana degli Albanesi, e njohur ndryshe edhe si Hora e Arbëreshëvet. Gjatë eventit, aktori u nderua me çmimin “Premio Hora Skanderbeg”, në një atmosferë festive që bashkoi kulturën arbëreshe me artin dhe traditën.

Por momenti që emocionoi më shumë publikun ishte rrëfimi personal që Can Yaman ndau në skenë. I pyetur për lidhjen me komunitetin shqiptar dhe emocionet që ndjen sa herë viziton këtë vend me histori të fortë arbëreshe, aktori foli me shumë dashuri për babanë e tij, të cilin e konsideron idhull.

“Babai im ka qenë gjithmonë shembulli më i madh për mua. Kam dëgjuar pafund histori nga fëmijëria e tij dhe mënyra si jetonte më bënte ta admiroja edhe më shumë. Më tregonte për një jetë të lirë, mes shoqërisë, lojërave dhe aventurave të fëmijërisë, siç jetonin shqiptarët e atyre viteve”, u shpreh aktori para publikut.

Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të shumta nga të pranishmit, ndërsa shumë fansa e konsideruan këtë një nga momentet më emocionuese të festivalit. Rrëfimi i Can Yaman tregoi edhe një herë lidhjen e fortë emocionale që ai ndjen me origjinën dhe kulturën shqiptare.

Të ngjashme