Showbiz
Drake surprizon fansat, kush është shqiptarja në albumin e tij?
15 Maj, 2026 | 8:29 pm

Reperi kanadez ka surprizuar fansat me një projekt gjigant muzikor të ndarë në tre albume të reja, që përfshijnë plot 43 këngë. “Iceman” vjen me 18 këngë, “Maid of Honour” me 14, ndërsa albumi “Habibti” përmban 11 këngë. Por është pikërisht ky i fundit që ka shpërthyer në rrjetet sociale, pasi një nga bashkëpunimet më të komentuara është kënga “Slap The City”, realizuar me artisten shqiptare Qendresa.
Bëhet fjalë për Qendresa Topallin, artisten me origjinë nga Kosova që është lindur dhe rritur në Londër. Ajo njihet për stilin e saj unik në alternative R&B dhe soul, ku prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e industrisë muzikore ndërkombëtare si producente dhe këngëtare.
Talenti i saj nuk ka kaluar pa u vënë re nga emra të mëdhenj të muzikës dhe kinemasë botërore. Përveç Drake, Qendresa ka bashkëpunuar apo është vlerësuar edhe nga reperi Lil Yachty, si dhe aktori fitues i Oscar-it, Daniel Kaluuya.
Për publikun shqiptar, Qendresa nuk është një emër i panjohur. Rreth shtatë vite më parë ajo solli bashkëpunimin “Pa arsye” me reperin shqiptar Buta, këngë që u pëlqye shumë nga fansat e muzikës urbane.
Sot, emri i saj po depërton fuqishëm në tregun ndërkombëtar dhe bashkëpunimi me Drake po konsiderohet si një nga projektet më të dëgjuara dhe më të komentuara të momentit.
Në fakt, lidhja e Drake me shqiptarët është komentuar edhe më herët. Fansat kujtojnë ende momentin kur reperi u shfaq me xhaketën e kuqe dhe kapelën me shqiponjën dykrenare shqiptare, duke ndezur reagime të shumta në rrjet. Por këtë herë, bashkëpunimi me Qendresën duket se e ka afruar edhe më shumë me publikun shqiptar.












































