Kryefjala Logo

“Nân” bën namin online, 4 milionë klikime deri tani. Shqipëria rrëmben vëmendjen në Eurovision

15 Maj, 2026 | 7:39 pm

Kënga “Nân” nga Alis Kallaqi ka arritur një sukses të madh në Eurovision 2026, duke u kthyer në një nga performancat më të ndjekura dhe më të komentuara të natës së dytë gjysmëfinale. Interpretimi i artistit shqiptar ka marrë miliona klikime në faqen zyrtare të Eurovisionit, duke tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe duke e vendosur Shqipërinë mes performancave më të pëlqyera të këtij edicioni.

Fansat në rrjetet sociale kanë shpërthyer në komente pozitive për performancën e Alisit, duke vlerësuar emocionin, interpretimin e ndjerë dhe skenografinë që shoqëroi këngën. Shumë komentues e kanë cilësuar “Nân” si një nga performancat më autentike dhe prekëse të këtij viti, ndërsa videoja po vazhdon të shpërndahet masivisht në platforma të ndryshme.

Edhe pse konkurrenca këtë vit konsiderohet shumë e fortë, Alis Kallaqi ka arritur të dallohet me stilin e tij unik dhe me energjinë që solli në skenë. Interpreti shqiptar ka marrë mbështetje të madhe jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga fansa të Eurovisionit në vende të ndryshme të Europës.

“Nân”, me muzikë të kompozuar nga vetë Alis dhe tekst të shkruar nga partnerja e tij Desara Gjini, është shoqëruar në skenë edhe nga aktorja Rajmonda Bulku, element që i ka dhënë performancës një dimension më emocional dhe artistik.

Tani mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të arrijë të sigurojë një rezultat historik në finalen e madhe të Eurovision 2026.

Të ngjashme