Showbiz
Olen Çesari e falenderon publikisht: “Eni Vasili motor energjitik për serinë e koncerteve me Orkestrën Simfonike të RTSH”
5 Prill, 2026 | 8:49 pm

Një nga violinistët më karizmatikë të skenës ndërkombëtare, Olen Çesari, rikthehet para publikut shqiptar me një seri koncertesh që premtojnë emocione të forta dhe një përjetim të veçantë artistik.
I njohur për stilin e tij unik, ku virtuoziteti klasik ndërthuret me ritmet moderne, Çesari sjell një frymë të re në interpretimin muzikor, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun.
Në skenën e Pallati i Kongreseve, në datat 9, 10 dhe 11 prill, nën tingujt e muzikës live dhe energjinë e interpretimit, artisti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH, si dhe nga një sërë artistësh të njohur shqiptarë dhe të huaj.
Mes të ftuarve specialë janë Dren Abazi, Lavinia Mancusi, Enrico Giaretta, Zyliha Miloti, Carlos Paz dhe Roland Cenko, të cilët do të pasurojnë këto mbrëmje me interpretime të veçanta.
“Unë mezi pres të vij dita dhe jemi shumë të lumtur për këtë koncert që po ndodh në Tiranën tonë të dashur. Kemi një repertor fantastik që janë gati 2 orë spektakël i pastër me orkestrën e RTSH, që po vazhdojmë provat. Janë fantastik, tingëllon si një album. Ka të ftuar pafund këngëtar nga Italia, Ekuadori, këngëtar popullor, dhe kam zonjën time të preferuar Zyliha Miloti që do na ëmbëlsojë shpirtin”, tha Çesari.
Më tej ai falenderoi edhe Drejtoreshën e Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasilin:
“Kam një falenderim personal për Eni Vasilin, Drejtoreshën sepse ka qenë ajo zanafilla e kësaj gjëje. Ishte ajo që erdhi më ngacmoi, një motor i madh energjitik që më futi në këtë lloj vorbulle.”
Ky koncert pritet të jetë një festë e vërtetë muzikore, ku ndërthuren tradita dhe moderniteti, duke e kthyer skenën në një hapësirë emocionesh, ritmesh dhe bashkëpunimi artistik. Tre net koncertesh që synojnë të mbeten gjatë në kujtesën e publikut artdashës.












































