Kryefjala Logo

A do jetë konkurrente në “Festivalin e Pranverës”? Ermira Babaliu live në RTSH pasi ndezi debatin për limitin e moshës në këtë garë

26 Mars, 2026 | 9:43 pm

Debati për rikthimin e Festivalit të Pranverës në RTSH po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, sidomos pas reagimeve të forta të artistëve lidhur me kufirin e vendosur të moshës për pjesëmarrësit. Në qendër të diskutimit është vendosur edhe këngëtarja e njohur Ermira Babaliu, e cila ka qenë e ftuar në emisionin “Në kohë reale”, ku ka folur hapur për këtë çështje që ka ndezur rrjetin dhe skenën muzikore.

Gjatë intervistës, Babaliu e cilësoi rikthimin e festivalit si një nismë shumë të bukur dhe të nevojshme për artin shqiptar, por u ndal fort tek një element që sipas saj nuk duhet të ekzistojë, kufiri i moshës. Ajo theksoi se vendosja e një kriteri të tillë bie ndesh me vetë frymën e festivalit dhe e quajti “absurde” idenë që në një skenë të tillë të lejohen vetëm artistë të rinj. Me humor, ajo shtoi se nuk po e zbulon moshën e saj, ndoshta për të lënë një derë të hapur për një pjesëmarrje të mundshme në këtë festival.

“Rikthimi i festivalit është një rikthim i bukur por e vetmja gjë që nuk do pranoja është kushti i moshës, të mos ketë kusht moshe. M’u duk absurde që në atë festival do ketë vetëm nga mosha 18-30. Prandaj nuk po tregoj moshën time sa jam sot se ndoshta mund të marr pjesë në festival.”

Edhe më herët, përmes një postimi në rrjetet sociale, Babaliu kishte reaguar për këtë vendim, një reagim që u mbështet nga disa artistë të tjerë të njohur.

Debati është zgjeruar edhe më tej me përfshirjen e emrave të tjerë të njohur të muzikës shqiptare. Këngëtari Elton Deda theksoi se arti nuk duhet të ketë kufij. Sipas tij, duhet gjetur një balancë që të mos dekurajohen të rinjtë, por as të përjashtohen artistët me përvojë.

“Unë mendoj që muzika dhe arti nuk kanë kriter. Ka artistë të mëdhenj që performojnë 70 vjeç. Duhet gjetur një balancë. Të mos dekurajojmë të rinjtë por edhe të tjerët mos të ndihen të përjashtuar.”

Nga ana tjetër, Bojken Lako u shpreh se festivale të tilla janë të domosdoshme për të motivuar brezin e ri dhe se në botë ekzistojnë kritere të ndryshme për pjesëmarrje, edhe pse shpesh nuk bien në sy. Ai ngriti shqetësimin për mungesën e motivimit të të rinjve në muzikë dhe theksoi rolin e mediave në nxitjen e tyre.

“Është shqetësuese motivimi që kanë të rinjtë për muzikën. Mediat duhet të organizojnë festivale si këto për të motivuar të rinjtë. Në gjithë botën ka kritere për pjesëmarrje por ka aq shumë sa nuk na bien në sy.”

Ndërkohë, një qëndrim më i fortë erdhi nga Robert Aliaj, i cili kundërshtoi hapur kufirin e moshës, duke e cilësuar si një vendim që mund të dëmtojë identitetin e festivalit. Ai theksoi se festivale të tilla duhet të jenë hapësira ku përplasen eksperiencat dhe kulturat, jo të kufizohen vetëm tek një grupmoshë. Sipas tij, mungesa e kësaj përplasjeje do ta kthente festivalin në një event pa thellësi artistike.

“Nuk ka festivale në botë që ndodh kështu të ketë limit moshe, e kundërshtoj Bojken Lakon. Kjo gjë do vështirësojë identitetin e festivalit. Nuk do ketë përplasje eksperiencash dhe kulturash. Do bëhet si festë e vitit të ri me studentë. Bëni festival dhe zhdukni këto mentalitete fashiste. Të rinjtë kanë nevojë të përplasen me njerëz të talentuar dhe me eksperiencë.”

Në thelb, diskutimi mbetet i hapur, a duhet që Festivali i Pranverës të jetë një skenë vetëm për të rinjtë apo një hapësirë gjithëpërfshirëse për të gjitha brezat e muzikës shqiptare? Ndërsa përgjigjja ende nuk është dhënë, një gjë është e sigurt ky rikthim nuk ka kaluar pa polemika.

Të ngjashme