Kryefjala Logo

Lëshohet urdhër arrest për Hande Erçel/ Aktorja turke reagon për herë të parë pas shpërthimit të skandalit

25 Mars, 2026 | 3:11 pm

Një operacion i gjerë antidrogë ka tronditur opinionin publik në Turqi, duke prekur figura të njohura nga bota e artit, sportit dhe elitës së lartë. Në qendër të këtij hetimi të bujshëm është përfshirë edhe aktorja dhe modelja e njohur, Hande Erçel, ndërsa ish-partneri i saj, miliarderi Hakan Sabancı, është arrestuar nga autoritetet.

Sipas mediave turke, mes tyre edhe Haberler, Kryeprokuroria e Stambollit ka lëshuar urdhër-ndalimi për 16 persona me profil të lartë, nga të cilët 14 janë vënë tashmë në pranga. Në listën e emrave të përfshirë përmenden edhe figura të rëndësishme si ish-presidenti i Galatasaray-t, Burak Elmas, ish-presidenti i Beşiktaş-it, Fikret Orman, Kerim Sabancı, si dhe modelet e njohura Didem Soydan dhe Güzide Duran.

Sa i përket Hande Erçel, raportimet bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë Turqisë dhe për këtë arsye nuk është ndaluar ende. Megjithatë, urdhërarresti ndaj saj mbetet në fuqi dhe pritet që ajo të ndalohet sapo të rikthehet në vend.

Pas përhapjes së lajmit, aktorja ka reaguar publikisht përmes një postimi në Instagram, ku ka sqaruar se ndodhet jashtë shtetit për arsye studimi dhe se është informuar për çështjen përmes mediave. Ajo thekson se do të rikthehet për t’u përballur me drejtësinë dhe për të dhënë sqarimet e nevojshme.

“Prej rreth një muaji ndodhem jashtë vendit për shkak të studimeve. Ashtu si të gjithë, edhe unë u informova nga lajmet për këtë situatë. Do të kthehem për të dhënë dëshminë time dhe për të sqaruar gjithçka,” – është shprehur Erçel, duke shtuar se ka besim të plotë te drejtësia dhe institucionet turke.

Në fund, ajo shprehet e bindur se e vërteta do të dalë në dritë shumë shpejt dhe situata do të sqarohet.

img 6594

Të ngjashme