Lifestyle
Shqiptarët renditen ndër banorët që përdorin më shumë transportin publik në Europë
12 Mars, 2026 | 2:22 pm

Shqiptarët renditen ndër popullsitë që përdorin më shumë transportin publik në Europë, pavarësisht se vendi ka shumë pak alternativa përveç autobusëve. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, rreth 17% e shqiptarëve mbi 16 vjeç e përdorin transportin publik çdo ditë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e pestë në Europë. Para saj qëndrojnë vetëm Hungaria, Zvicra, Çekia dhe Luksemburgu, ndërsa mesatarja europiane është dukshëm më e ulët, rreth 10.7%.
Përdorimi i transportit publik në Shqipëri është i lartë edhe në frekuenca të tjera. Rreth 20.4% e qytetarëve e përdorin atë çdo javë, duke e renditur vendin të tretin në Europë pas Zvicrës dhe Luksemburgut, ndërsa 21% e përdorin çdo muaj. Nga ana tjetër, vetëm 30.2% e shqiptarëve deklarojnë se nuk e përdorin fare transportin publik, përqindje shumë më e ulët krahasuar me mesataren europiane ku mbi gjysma e popullsisë (50.6%) nuk e përdor atë.
Ekspertët e lidhin këtë përdorim të lartë me numrin relativisht të ulët të automjeteve për banor në vend. Sipas Eurostat, Shqipëria ka rreth 443 mjete për 1 mijë banorë, ndër nivelet më të ulëta në Europë. Vetëm për autoveturat, në vitin 2024 kishte 328 mjete për 1000 banorë, shumë më pak se mesatarja europiane prej 578, çka i shtyn qytetarët të mbështeten më shumë tek transporti publik për lëvizjet e përditshme.

















































