Kryefjala Logo

“Me fat” del më 12 mars në kinema, Monika Kryemadhi aktore dhe producente: Jeta ime ka qenë një film

10 Mars, 2026 | 5:10 pm

“Me fat”, kështu titullohet prodhimi më i fundit filmik shqiptar që do t’i flasë publikut me gjuhën e bukur të kinemasë për një realitet që e shohim çdo ditë, por pak e reflektojmë.

Mes luftërave politike, lajmeve të kronikës që mbushin headline-t, ky film e zhvendos vëmendjen tek familja, institucioni më i shenjtë që duhet shpëtuar.

Siç nuk e kemi parë, Monika Kryemadhi vjen si aktore dhe si producente në këtë produksion. Edhe jetën e saj e quan një film, ku mes batutash thotë që do të kishte qenë një film i mirë për t’u ekranizuar.

“Edhe ajo mund të bëhet, do kem konkurrencë se dikush bën libër, unë bëj film”.

Por atë periudhë që s’do ta linte jashtë filmit të saj do të ishte përballja aktuale me SPAK-un.

“Me SPAK-un e kemi një çikë problem sepse ata ndihen të bullizuar për shkak të batutave që përdor kur hyj dhe kur dal, por është një këndvështrim tjetër që edhe ata e duan një film për mënyrën dhe metodologjinë e intimidimit dhe cenimit të jetës që u bëjnë njerëzve”, tha ish-deputetja Monika Kryemadhi.

Këtë projekt e konsideron si dritën që i erdhi në një moment shumë të errët të jetës së saj.

“Ky ishte në një moment shumë të errët të jetës sime dhe ndonjëherë, kur do t’i largohesh të shkuarës apo jetës së errët, njeriu kërkon të hidhet në një fushë tjetër. Ka mesazh, ka humor dhe batutë, por ka emocionin. Çdo gjë në këtë botë të do me interes: burri, gruaja, motra, vëllai, por janë disa mesazhe që jepen në këtë film”.

Mes agresivitetit të çdo dite, një ëndrre që askush nuk e beson, një jetë të vrullshme plot sfida, ngrihet jeta e kryepersonazhit Mefos, që përfaqëson çdo të ri shqiptar.

Dashuria e kryepersonazhit me boksin bën pjesë të këtij kasti edhe Alban Xhihanin, në rolin e tij të parë në një film, por që e lë në identitetin e tij të vërtetë, si komentator.

Filmi do ta ketë premierën në Cineplexx në TEG më 12 mars, ora 19:00.

Të ngjashme