Showbiz
Eni Vasili promovon kanalin “RTSH Arkiv” në YouTube, platforma që sjell në publik thesaret e televizionit shqiptar
9 Mars, 2026 | 6:06 pm

Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, ka promovuar në rrjetet sociale një nga projektet më të reja digjitale të institucionit: kanalin “RTSH Arkiv” në YouTube.
Përmes një postimi në Instagram Story, Vasili ka ndarë me ndjekësit pamje nga kanali i ri, duke e cilësuar si një hap drejt strategjisë “Digital First”, ku përmbajtjet historike të RTSH po bëhen më të aksesueshme për publikun në platforma online.
Sipas përshkrimit zyrtar të kanalit, RTSH Arkiv është hapësira digjitale e dedikuar për ruajtjen dhe publikimin e materialeve historike nga arkivat e televizionit publik shqiptar. Në këtë kanal publikohen materiale të rralla që përfshijnë emisione historike, koncerte, intervista, dokumentarë, festivale, kronika televizive dhe momente të paharrueshme nga kultura, arti dhe jeta shqiptare ndër vite.
Qëllimi i kësaj nisme është të sjellë për publikun kujtimet televizive të disa dekadave, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë audiovizive shqiptare për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Në kanalin RTSH Arkiv kanë nisur të publikohen edhe filma të vjetër shqiptarë, si “Udhaa e Shkronjave” (1978) dhe “Era e Ngrohtë e Thellësive” (1982), duke i dhënë mundësi publikut t’i rikthehet produksioneve klasike të kinematografisë dhe televizionit shqiptar.
Përmes këtij projekti, RTSH synon të digjitalizojë dhe të hapë për publikun një pjesë të madhe të arkivit të tij historik, një pasuri e rëndësishme kulturore që për dekada ka qenë e ruajtur në fondet e institucionit. Ndërkohë, abonentët në YouTube do të kenë mundësi të ndjekin çdo javë materiale të reja nga arkivat historike të RTSH.












































