Kryefjala Logo

Deri në vitin 2040 do të ketë më shumë fëmijë mbipeshë sesa nën peshë

5 Mars, 2026 | 11:38 am

Obeziteti tek fëmijët po rritet me ritme shqetësuese dhe deri në vitin 2040 pritet të prekë 228 milionë fëmijë në mbarë botën, duke tejkaluar për herë të parë numrin e atyre nën peshë. Kështu paralajmëron Federata Botërore e Obezitetit në raportin “Atlasi Botëror i Obezitetit 2026”.

Në vitin 2025, rreth 177 milionë fëmijë nga mosha 5 deri në 19 vjeç jetonin me obezitet. Brenda 15 viteve, kjo shifër pritet të rritet ndjeshëm, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas raportit, rritja është aq e shpejtë sa konsiderohet alarmante për sistemet shëndetësore dhe zhvillimin social e ekonomik.
Ekspertët theksojnë se faktorët kryesorë lidhen me shëndetin e nënës, ushqyerjen në muajt e parë të jetës, cilësinë e vakteve në shkollë dhe mungesën e aktivitetit fizik. Ndërkohë, shumë vende kanë nisur strategji parandaluese, por progresi mbetet i ngadaltë.

Pasojat janë afatgjata. Obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun për sëmundje kronike si diabeti, problemet kardiovaskulare dhe çrregullimet e mëlçisë, madje shenjat e para mund të shfaqen që në moshë të hershme. Sipas raportit, deri në vitin 2040 rreth 120 milionë fëmijë mund të kenë tregues të hershëm të sëmundjeve kronike të lidhura me peshën e lartë trupore.

Raporti bën thirrje për politika më të forta në fushën e ushqimit, shkollës dhe shëndetit publik, si dhe për akses të barabartë në ushqim të shëndetshëm dhe kujdes mjekësor për të gjithë fëmijët.

Të ngjashme