Kryefjala Logo

“Jam e shokuar nga Miri”, Selin zbulon përmbajtjen e Kutisë së Pandorës

22 Shkurt, 2026 | 8:44 am

Prime-i i mbrëmshëm i “Big Brother VIP” solli një tjetër moment të fortë emocional, pasi banorët u njohën me përmbajtjen e “Kutisë së Pandorës”. Mes mesazheve të lexuara, ai i babait të Selin për Mirin krijoi menjëherë tension në shtëpi dhe ndezi debat mes dy banorëve.

Situata u përshkallëzua pasi Selin reagoi hapur ndaj qëndrimit të Mirit, duke u shprehur e zhgënjyer nga fakti që, sipas saj, ai nuk reflektoi pas mesazhit. Ajo theksoi se nuk u surprizua nga fjalët e babait, por nga mënyra se si Miri vendosi të vazhdonte sjelljen e tij pa asnjë ndryshim.

“Jam pak e shokuar, por jo nga ajo që ka thënë babai im. Nëse ai e ka parë ashtu, ndoshta ashtu është interpretuar. Më habit Miri që nuk bëri asnjë përpjekje për të ndryshuar qasje, por vazhdoi me të njëjtën sjellje,” u shpreh Selin, duke lënë të kuptohet se priste një reflektim më të madh nga ana e tij.

Nga ana tjetër, Miri u përpoq të sqarojë situatën, duke theksuar se mesazhi ishte interpretuar në mënyrë emocionale nga babai i Selin. Ai mohoi çdo qëllim të gabuar në sjelljen e tij dhe shtoi se nuk kishte ndryshuar qëndrim për të mos krijuar konfuzion tek Selin.

“Ka qenë një emocion i interpretuar nga babai i saj. Nuk ka pasur asgjë të gabuar në sjelljen time. Nuk doja të ndryshoja qëndrim që të mos e ngatërroja,” u shpreh Miri.

Debati mes tyre ka hapur sërish diskutime mbi raportin e tyre brenda shtëpisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të sjellë një distancim përfundimtar apo një reflektim nga të dyja palët.

Të ngjashme