Lifestyle
Spitali Amerikan zgjeron bashkëpunimin me Ambasadën Britanike, mbështet Chevening Scholarship për 3 vitet e ardhshme
18 Shkurt, 2026 | 5:53 pm

Spitali Amerikan ka njoftuar vazhdimin e partneritetit me Ambasadën Britanike në Shqipëri, duke mbështetur programin prestigjioz Chevening Scholarship edhe për tre vitet e ardhshme.
Ky bashkëpunim, i cili ka nisur prej disa vitesh, ka dhënë rezultate konkrete në zhvillimin profesional të të rinjve shqiptarë. Falë këtij programi, shumë studentë të talentuar kanë pasur mundësinë të ndjekin studimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe sot kontribuojnë si profesionistë të suksesshëm në vendin tonë.
Përfaqësuesit e Spitalit Amerikan theksojnë se investimi në edukim mbetet një nga prioritetet kryesore, duke e konsideruar si një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
“Ne besojmë fuqishëm në edukimin, mundësitë dhe investimin tek brezat e rinj”, thuhet në mesazhin e publikuar, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të mundësive për të rinjtë shqiptarë që synojnë të ndërtojnë karrierë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Ambasada Britanike ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar rolin e Spitalit Amerikan në fuqizimin e të rinjve përmes arsimit cilësor dhe eksperiencave ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim pritet të vazhdojë të sjellë histori suksesi dhe të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke hapur dyer të reja për brezat e ardhshëm.

















































