Kryefjala Logo

Mësohet se RTSH ka apeluar vendimin për Florian Agalliun: “Honoraret janë paguar dhe nuk është i papunë, gjykata u mashtrua”

11 Shkurt, 2026 | 12:25 pm

Sipas zërave në brendësi të Radio Televizioni lt Shqiptar mësohet se ky institucion ka apeluar vendimin e shkallës së parë që i dha të drejtë moderatorit Florian Agalliu në padinë për largim të padrejtë nga puna. Sipas vendimit, institucioni publik ishte detyruar të shlyente detyrimet financiare ndaj tij, pas pretendimeve për shkelje të të drejtave dhe mospërmbushje të kontratës.

Por RTSH ka reaguar duke kundërshtuar ashpër këtë vendim dhe ka depozituar apelimin në gjykatë. Sipas televizionit publik, Agalliu ka paraqitur informacion të pasaktë lidhur me statusin e tij të punësimit duke u deklaruar si i papunë dhe i pasaktë në lidhje me pagesat e përfituara.

Në qëndrimin e saj mësohet se RTSH pretendon që honoraret e moderatorit janë paguar rregullisht çdo muaj dhe se nuk ekziston asnjë detyrim financiar i papërmbushur. Institucioni thekson se gjykata e shkallës së parë është bazuar në pretendime që, sipas tyre, nuk qëndrojnë.

Nga ana tjetër, vendimi fillestar kishte pranuar padinë e Agalliut, duke e konsideruar largimin e tij si të padrejtë dhe duke urdhëruar shlyerjen e detyrimeve përkatëse.

Tashmë çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, ku do të vendoset nëse vendimi i shkallës së parë do të lihet në fuqi apo do të rrëzohet. Rasti ka ngjallur interes të gjerë, pasi përfshin median publike dhe një prej moderatorëve të njohur të ekranit shqiptar.

Të ngjashme