Kryefjala Logo

Brooklyn Beckham kundër prindërve David dhe Victoria: “Do më flisni vetëm nëpërmjet avokatëve e mos më bëni tag në Instagram”

15 Janar, 2026 | 10:40 pm

Është thelluar ndjeshëm kriza mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David Beckham dhe Victoria Beckham. Sipas raportimeve të mediave britanike, 26-vjeçari ka ndërprerë çdo kontakt të drejtpërdrejtë me ta, duke u kërkuar që nga tani e tutje të komunikojnë me të vetëm përmes avokatëve të tij. Po ashtu, ai i ka paralajmëruar që të mos e etiketojnë më në rrjetet sociale dhe të mos bëjnë deklarata publike në lidhje me të.

Burime pranë familjes bëjnë me dije se vendimi drastik i Brooklyn ka ardhur gjatë verës së kaluar, pasi ai ka mësuar për disa biseda familjare ku prindërit e tij dyshohet se kanë lënë të kuptohet se ai ndikohet dhe manipulohet nga bashkëshortja e tij, Nicola Peltz.

Situata është përkeqësuar edhe më tej nga një episod që në pamje të parë duket i parëndësishëm. Brooklyn, i cili njihet për pasionin e tij për gatimin, kishte publikuar në Instagram një video ku shfaqte një pulë të përgatitur për ta futur në furrë. Një “like” nga nëna e tij, Victoria, ka mjaftuar që ai të bllokojë pothuajse të gjithë familjen në rrjete sociale, me përjashtim të gjyshërve. Një burim i afërt ka deklaruar se Brooklyn e ka ndjerë këtë si një tjetër shkelje të kërkesës së tij për t’i zgjidhur çështjet familjare larg syrit të publikut.

Raporti i tensionuar mes Victoria Beckham dhe Nicola Peltz nuk është i ri. Marrëdhënia mes vjehrrës dhe nuses ka qenë e ftohtë që në fillim dhe pritej që të përmirësohej në vitin 2022, gjatë dasmës së Brooklyn dhe Nicola-s. Megjithatë, situata u komplikua kur Nicola i kërkoi Victoria-s të realizonte fustanin e nusërisë, por kjo e fundit refuzoi. Episodi u bë publik dhe shkaktoi reagime të forta mediatike, duke ndezur edhe më shumë konfliktet mes palëve.

Sipas burimeve të afërta me familjen, David dhe Victoria Beckham janë “të tronditur dhe të shkatërruar emocionalisht” nga kjo situatë. Ata mohojnë çdo qëllim të keq dhe theksojnë se gjithçka buron nga shqetësimi i tyre si prindër për të ardhmen dhe mirëqenien e djalit.

Kriza mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij duket se është një nga përçarjet më të forta familjare që ka dalë në dritë vitet e fundit në botën e showbiz-it, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo distancë do të marrë fund apo do të thellohet edhe më tej.

Të ngjashme