Lifestyle
Rikrijohet lindja e Jezu Krishtit, Fshati Hajmel surprizon me një Krishtlindje ndryshe
28 Dhjetor, 2025 | 1:28 pm

Fshati Hajmel u kthye këtë fundjavë në një nga destinacionet më të vizituara, duke tërhequr qindra qytetarë dhe besimtarë që erdhën për të ndjekur nga afër një nga realizimet më mbresëlënëse të viteve të fundit: “Betlehemin e Gjallë”.
Qindra banorë të zonës, nga më të vegjlit deri te më të moshuarit, u angazhuan vullnetarisht për të rikrijuar me përkushtim skenat e Lindjes së Krishtit, duke shndërruar oborrin e Kishës në një skenë të gjallë artistike, ku historia u soll para publikut me emocion dhe autenticitet.
Interesi ishte i jashtëzakonshëm. Vizitorët pritën në radhë për më shumë se 90 minuta për të hyrë, ndërsa sipas organizatorëve, vetëm në një mbrëmje Hajmeli mirëpriti mbi 2 mijë vizitorë. E gjitha kjo shfaqje u ofrua falas, pa asnjë biletë hyrjeje.
Ajo që e bëri këtë ngjarje vërtet të veçantë nuk ishte vetëm skenografia apo organizimi, por përfshirja masive e komunitetit. Çdo rol u interpretua me seriozitet, respekt dhe përkushtim për orë të tëra, pa lodhje dhe pa neglizhencë. Krahas momenteve emocionale, nuk munguan as batutat komike, mikpritja tradicionale dhe gostitja falas me fruta, mjaltë, petulla, djathë, raki dhe verë të ngrohtë.
Pamjet nga kjo shfaqje u ndanë në rrjete sociale nga gazetarja Esiona Konomi, e cila së bashku me djalin dhe familjarët e saj e ndoqi nga afër këtë event. Ajo tregoi për harmoninë dhe frymën bashkuese të kësaj krahine, që u bë shembull se si një komunitet mund të bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët një nismë që padyshim meriton një duartrokitje të fortë.
















































