Politike
Ervin Salianji trondit Sali Berishën dhe mbledh plot 50 demokratë në Shkodër
27 Dhjetor, 2025 | 7:35 pm

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka zhvilluar pasditen e kësaj të shtune një tjetër takim me mbështetësit e tij në Shkodër, në të njëjtën kohë kur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mbante një foltore në Korçë.
Salianji, i cili prej kohësh konsiderohet figurë e padëshiruar brenda selisë blu, më herët ka zhvilluar takime të ngjashme edhe në Elbasan dhe Durrës, duke vijuar turin e tij me strukturat dhe simpatizantët demokratë.
Nga pamjet e publikuara nga takimi në Shkodër, salloni rezulton i mbushur me rreth 40–50 persona, mes të cilëve vërehen se rreth 10 prej tyre janë përfaqësues të mediave. Mbështetësit e pranishëm e kanë konsideruar Salianjin si një alternativë dhe shpresë për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Kujtohet se Sali Berisha dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kanë akuzuar më herët Salianjin se takimi i tij në Elbasan është organizuar nga një eksponent i njohur i botës së krimit, Suel Çela.
Në këtë kontekst, Berisha ka deklaruar se Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, duke pretenduar se ka shkelur “vijën e kuqe” të partisë përmes bashkëpunimit me elementë kriminalë.




















































