Kryefjala Logo

Alarm për sigurinë kibernetike! Sulmet digjitale në Shqipëri po shtohen

27 Dhjetor, 2025 | 7:23 pm

Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.

Një monitorim për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.

Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar. Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.

Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.

Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.

Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë.  Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.

Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.

Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.

Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.

Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.

Të ngjashme