Kryefjala Logo

Franca “ndëshkon” Shein, zbulohet arsyeja

19 Dhjetor, 2025 | 6:34 pm

Një gjykatë në Paris ka detyruar platformën e njohur të shitjeve online Shein të zbatojë masa të detyrueshme për verifikimin e moshës për të gjitha produktet e kategorizuara si “për të rritur” që shiten në Francë. Vendimi parashikon gjithashtu një gjobë prej 10 mijë eurosh për çdo shkelje të konstatuar, pas polemikave të forta të shkaktuara nga shitja e produkteve me përmbajtje të papërshtatshme.

Çështja erdhi në vëmendje pas raportimeve se në platformë ishin shitur kukulla seksi me tipare që i ngjanin fëmijëve, çka nxiti reagim të ashpër nga autoritetet dhe opinioni publik. Megjithatë, gjykata refuzoi kërkesën e qeverisë franceze për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të Shein për tre muaj, duke e konsideruar një masë të tepruar dhe joproporcionale.

Ky vendim shihet si një lehtësim i pjesshëm për kompaninë, e cila prej javësh ndodhet nën presion të fortë institucional në Francë.

Në një reagim zyrtar pas vendimit, një përfaqësues i Shein u shpreh se kompania e mirëpret vendimin dhe se mbetet e angazhuar për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit në bashkëpunim me autoritetet franceze. Sipas tij, prioriteti kryesor i kompanisë është mbrojtja e konsumatorëve dhe respektimi i plotë i legjislacionit vendas.

Shein u përfshi në një skandal të gjerë pasi u zbulua se përmes platformës së saj online ishin shitur produkte të ndaluara, përfshirë armë dhe lodra seksuale me përmbajtje të ndjeshme. Qeveria franceze tentoi të ndalonte aktivitetin e kompanisë më 5 nëntor, vetëm pak orë pasi Shein hapi hapësirën e saj të parë fizike brenda dyqanit BHV në Paris, por kjo përpjekje nuk pati sukses.

Pas reagimeve, kompania pezulloi tregun e saj online për shitësit e palëve të treta, ndërsa faqja kryesore e shitjes së veshjeve vijoi të mbetet funksionale. Ndërkohë, Shein ka konfirmuar se ka ndaluar plotësisht shitjen e lodrave seksuale në nivel global.

Të ngjashme