Lifestyle
Europa përballet me rritje të konsumit të cigareve të paligjshme, duke sfiduar përpjekjet për një të ardhme pa tym
6 Gusht, 2025 | 1:42 pm

Duhanpirësit në BE konsumuan 38,9 miliardë cigare të paligjshme në vitin 2024, një rritje kjo prej 10,8% krahasuar me vitin 2023, sipas raportit të KPMG.
Studimi vjetor, i porositur nga kompania Philip Morris International (PMI), analizoi 38 vende të Europës dhe zbuloi se qeveritë humbën 14.9 miliardë euro të ardhura nga taksat për shkak të tregut të zi të produkteve të duhanit.
Rezultatet u prezantuan nga Fondacioni i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, në një moment të rëndësishëm për politikën tatimore ndaj duhanit, pasi BE ka përditësuar më në fund ligjin për akcizën mbi duhanin.
Studimi vuri gjithashtu në dukje lidhjen midis tregtisë së paligjshme të duhanit dhe krimit të organizuar. Drejtori i fondacionit, Alessandro Politi, paralajmëroi gjatë një tryeze të rrumbullakët për konceptin e ri të “kërcënimeve të përziera”, një rrjet kompleks aktivitetesh kriminale që përfshin trafikim, pastrim parash, terrorizëm, sulme kibernetike, mallra të falsifikuara dhe fushata përçarëse.
Raporti i KPMG thekson se grupet kriminale janë shumë të sofistikuar në ngritjen e fabrikave të paligjshme afër tregjeve të konsumatorëve. Kjo ndihmohet nga rritja e shitjeve online dhe shpërndarja e produkteve përmes linjave ajrore të lira, trenave dhe dronëve.
Përdorimi i cigareve të paligjshme ishte veçanërisht i përhapur në Francë dhe Holandë. Në Francë, që ka tregun më të madh të paligjshëm në Europë, u konsumuan 18.7 miliardë cigare të paligjshme gjatë vitit 2024, që përbëjnë 37.6% të totalit të konsumit. Në Holandë, konsumi i paligjshëm u dyfishua, duke arritur në 17.9% të totalit kombëtar, një rritje prej 10.2% krahasuar me vitin e kaluar.
Belgjika fqinje pati një rritje më të vogël prej 2.6% në konsumimin e cigareve të paligjshme, por vendi vazhdon të jetë një qendër për tregtinë e paligjshme të drogave dhe duhanit. Pozita e favorshme gjeografike dhe mungesa e koordinimit mes forcave të rendit e kanë kthyer Belgjikën në një pikë kalimi për kontrabandën ndërkufitare, veçanërisht mes vendeve me taksa të larta dhe të ulëta. Hyrja e cigareve të paligjshme nga Bullgaria dhe Luksemburgu drejt Belgjikës u rrit me 17%, por kjo u zbut pjesërisht nga rënia e produkteve të parregulluara që vinin nga Turqia.
Ndryshe nga prirja shqetësuese në Francë dhe Holandë, vende si Bullgaria, Greqia, Italia, Portugalia dhe Ukraina shënuan ulje të ndjeshme të konsumit të cigareve të paligjshme. Greqia raportoi një rënie prej 6.2%, duke zbritur në 17.5% të konsumit total, ndërsa Ukraina arriti një ulje të ndjeshme prej 29%.
Edhe Mbretëria e Bashkuar shënoi një ulje në sasinë e cigareve të paligjshme, rreth 0.8 miliardë më pak në vitin 2024, megjithëse pjesa e cigareve të paligjshme në tregun total mbeti e qëndrueshme. Britania e Madhe mbetet tregu i tretë më i madh i paligjshëm në Europë, me 5.9 miliardë cigare të falsifikuara dhe kontrabandë të konsumuar vitin e kaluar.
Sipas presidentit të PMI për rajonin e Europës, Massimo Andolina, ky rezultat më i mirë erdhi falë “politikave tatimore të ndjekura dhe mbështetjes së forte për policinë në nivel lokal’.
Për herë të parë, studimi përfshiu edhe përdorimin e produkteve me ngrohje të duhanit të paligjshëm në Çeki, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Lituani, Poloni, Rumani, Spanjë dhe MB. Konsumi i kontrabandës për këtë kategori përfaqësonte 0.9% të totalit, me MB që kishte pjesën më të madhe 7.8%.
Raporti i 19-të mbi tregun e paligjshëm të cigareve në Europë nxori në pah humbjet financiare për qeveritë dhe shkallën e përhapur të aktivitetit kriminal.
Zëvendës presidenti i PMI për marrëdhëniet e jashtme, Christos Harpantidis, theksoi ndikimin negativ socio-ekonomik që ka kjo tregti e paligjshme. “Disponueshmëria e cigareve të lira dhe të pakontrolluara në ekonominë informale dëmton përpjekjet për të ulur shkallën e duhanpirjes dhe për të arritur një të ardhme pa tym.”
Ai shtoi se trendi alarmues në Francë dhe Holandë lidhej me politikat tatimore të duhanit që këto vende kanë ndjekur. “Shpresojmë që të nxirren mësime dhe të ketë më shumë logjikë në hartimin e politikave.”
Eksperti kundër tregtisë së paligjshme dhe ish-specialist i Europol-it, Howard Pugh, theksoi se të ardhurat nga akcizat janë të rëndësishme për të financuar përpjekjet kundër cigareve të paligjshme. “Kriminelët profesionistë orientohen drejt duhanit sepse sjell fitime të larta.”
Për të luftuar më mirë këtë fenomen, ai përmendi ndarjen e informacionit mes policisë kufitare dhe sistemit të drejtësisë. “Një qasje ndërdisiplinore me task-forca të përbashkëta do të sillte më shumë burime dhe të dhëna, duke vepruar si një pengesë më e fortë,” tha ai.
Pugh shtoi gjithashtu se ndërgjegjësimi i publikut është thelbësor. “Nëse blini cigare nga burime të paligjshme, paratë shkojnë te krimi i organizuar.”
Diskutimi u mbyll me një thirrje të përbashkët për shkëmbim informacioni ndërkufitar dhe masa rregullatore të kordinuara, përballë aktiviteteve të krimit dhe sulmeve kibernetike që janë në zhvillim të vazhdueshëm.
Komisioni Europian tashmë ka propozuar rritje të ndjeshme çmimesh për cigaret, duhanin e dredhur dhe produktet alternative, përmes Direktivës së re për Taksimin e Duhanit (TED). Kjo ngre pikëpyetjen e madhe se si ndikojë ky taksim i lartë në tregun e zi.
BE-ja planifikon gjithashtu të vendosë një taksë shtesë prej 15% mbi të ardhurat nga akcizat e duhanit në çdo shtet anëtar, për të rritur buxhetin e saj. Kjo masë e re, e njohur si Burimi i Vetëm për Akcizën e Duhanit (TEDOR), mund të rrisë rrezikun që vendet me taksa të larta të ‘furnizohen’ më tej me produkte të paligjshme.

















































