Showbiz
Sukses!Filmi shqiptar në garë për çmimet “Oscars 2025”
19 Shtator, 2024 | 8:52 am

Në eventin e përvitshëm të çmimeve “Oscars”, vitin e ardhshëm do të ketë edhe një surprizë nga Shqipëria. Një prej filmave të regjisorit Robert Budina, “Pikë uji”, është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në “Akademinë Oscar”, në edicionin e 97-të që do të organizohet më 3 mars, 2025, në Dolby Theatre, Hollywood.
Në njoftimin që kompania e produksionit, EraFilm, ka bërë në profilin zyrtar, shpreh mirënjohjen për të gjithë aktorët pjesëmarrës, si edhe për të gjithë ekipin.
Jemi jashtëzakonisht të lumtur të njoftojmë se filmi “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar! Për ne, ky është vlerësimi më i madh që mund të marrësh nga vendi yt.
Falënderojmë me mirënjohje të thellë:
– Aktorët dhe ekipin tonë të dedikuar që punuan me pasion dhe përkushtim – falë jush ky moment është bërë realitet!
– QKK-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin!
– Komisionin përzgjedhës për përgjegjësinë e jashtëzakonshme që na kanë dhënë.
Është hera e tretë që një film nga ERAFILM do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë skenë të madhe ndërkombëtare! Kjo arritje na mbush me krenari të thellë dhe na motivon të japim gjithçka për të çuar përpara kinemanë shqiptare në nivel ndërkombëtar.













































