Showbiz
Taylor Swift surprizon stafin, shpërndan 197 milionë dollarë bonus në prag Krishtlindjesh
15 Dhjetor, 2025 | 12:00 am

Taylor Swift ka treguar edhe një herë se suksesi i saj nuk ndërtohet vetëm mbi talentin, por edhe mbi mirënjohjen. Në prag të Krishtlindjeve, superylli i muzikës pop ka surprizuar të gjithë ekipin e saj duke shpërndarë 197 milionë dollarë bonus për stafin që punoi gjatë turneut gjigant “Eras Tour”.
Turneu 21-mujor, që përfshiu 149 koncerte në 21 vende, hyri në histori pasi arriti të gjenerojë rreth 2 miliardë dollarë nga shitja e biletave, duke u bërë një nga turnetë më fitimprurëse të të gjitha kohërave.
Si shenjë falënderimi, Taylor vendosi të ndajë një pjesë të konsiderueshme të këtij suksesi me të gjithë ata që qëndruan pas skenës. Në listën e përfituesve përfshihen shoferët e kamionëve, teknikët e dritave dhe audios, ekipi i merchandising-ut, punonjësit e cateringut, asistentët, marangozët, kërcimtarët, muzikantët, sigurimi, koreografët, piroteknikët, stilistët, make-up artistët, ekipi i kostumeve, fizioterapistët dhe stafi i videos.
Momenti më prekës ndodhi kur një prej anëtarëve të stafit lexoi me zë të lartë një letër personale nga Taylor, ku shuma e bonusit u censurua me një “bip”, duke shkaktuar emocione të forta mes të pranishmëve.

Në mesazhin e saj, këngëtarja theksonte se kjo fazë e turneut kishte qenë më e vështira e karrierës së saj live, por falë përkushtimit, energjisë dhe qëndresës së ekipit, gjithçka shkoi përtej pritshmërive.
Sipas mediave ndërkombëtare, secili anëtar i stafit dyshohet se ka përfituar rreth 50 mijë dollarë, ndërsa një nga kërcimtarët thuhet se ka qenë pranë humbjes së ndjenjave nga emocioni kur hapi zarfin e tij.
Ky nuk është rasti i parë që Taylor Swift shpërblen bujarisht ekipin e saj. Dy vite më parë, ajo kishte dhuruar 100 mijë dollarë bonus për secilin shofer kamioni gjatë fazës amerikane të turneut.
Një gjest që po komentohet gjerësisht si shembull i rrallë humanizmi dhe respekti në industrinë e showbiz-it.











































