Kryefjala Logo

Susanna Zotaj modelja 9-vjeçare shqiptare në Firenze, imazh i kompanive ndërkombëtare! Dashuria për Shqipërinë dhe kinemanë

3 Mars, 2026 | 8:20 pm

Në një moshë kur shumica e fëmijëve luajnë me kukulla apo kalojnë kohën mes librave dhe filmave vizatimorë, Susanna Zotaj, vetëm 9 vjeçe, ka nisur të ndërtojë një rrugëtim të bukur në botën e modës dhe publicitetit.

E lindur në Firenze, Susanna është një vajzë plot energji, buzëqeshje dhe ëndrra të mëdha. Ajo ka nisur hapat e parë në botën e reklamave që në moshën 8-vjeçare, duke realizuar një photoshooting për markën e njohur të veshjeve Benetton, një eksperiencë që i hapi dyert drejt projekteve të tjera publicitare.
Më pas ajo ishte imazh për kompaninë e mirënjohur Zara.

Një nga momentet më të rëndësishme për të ka qenë sfilata e datës 1 mars për brand-in Juana Princess, nën drejtimin e stilistes Paola Perdomo. Ajo e përjetoi këtë eksperiencë si një ëndërr të bërë realitet, duke treguar siguri dhe natyrshmëri në pasarelë.
Susanna nuk është thjesht një fytyrë e bukur para kamerës. Ajo e adhuron muzikën dhe kalon kohën e lirë duke dëgjuar këngët e saj të preferuara apo duke ndjekur seriale televizive. Dy nga serialet që i kanë rrëmbyer zemrën janë Stranger Things dhe Wednesday, histori misterioze që ndoshta ushqejnë edhe imagjinatën e saj.

Në fakt, ëndrra më e madhe e Susannës nuk është vetëm moda. Ajo dëshiron të bëhet aktore dhe të shfaqet një ditë në ekran, duke interpretuar role që frymëzojnë e emocionojnë publikun.
Edhe pse është e përfshirë në fushata publicitare dhe sfilata, Susanna mbetet një vajzë e thjeshtë dhe e dashur. Me shoqet dhe kolegët e saj nga shërbimet fotografike shkon shumë mirë dhe mezi pret t’i takojë në çdo projekt të ri. Energjia pozitive dhe dashuria për atë që bën janë çelësi i suksesit të saj të hershëm.

Sporti i saj i preferuar është noti, një aktivitet që e ndihmon të qëndrojë aktive dhe e disiplinuar. Ndërsa në botën e librave, ajo është e apasionuar pas koleksionit Tea Stilton, Tea Sisters, histori aventureske që e bëjnë të ëndërrojë akoma më shumë.

Edhe pse jeton në Itali, zemra e saj rreh fort për Shqipërinë. Susanna e adhuron të vijë çdo vit në atdhe, ku kalon pushimet verore në Vlorë. Qytetet e saj të preferuara janë Vlora, Saranda dhe Ksamil, vende që i sjellin kujtime të bukura dhe momente të lumtura me familjen.

Edhe pse vetëm 9 vjeç, Susanna Zotaj po hedh hapa të sigurt drejt një të ardhmeje premtuese. Me përkushtim, pasion dhe mbështetje, ajo po ndërton një rrugëtim që sapo ka nisur dhe duket se do të jetë një histori suksesi për t’u ndjekur. Pas disa vitesh do kujtoheni që Kryefjala foli e para për këtë talent që krenon Shqipërine në mbarë botën.

Të ngjashme