Showbiz
Si firmat e mëdha të modës promovojnë luksin, duke shfrytëzuar maksimalisht punëtorët
5 Dhjetor, 2025 | 12:20 pm

Dhe megjithëse nuk janë akuzuar drejtpërdrejt, emrat e mëdhenj janë sërish në qendër të vëmendjes: Dolce & Gabbana, Prada, Versace, Gucci, Ferragamo, Yves Saint Laurent, Givenchy, Adidas, Alexander McQueen e shumë të tjera
Industria e modës, e cila ndërton imazhin e saj mbi shkëlqimin, luksin dhe perfeksionin, po përballet me një prej pasqyrimeve më të errëta të viteve të fundit. Hetimet e Prokurorisë së Milanos kanë zbuluar një sistem të gjerë nënkontraktimesh, ku punëtorë të varfër, kryesisht emigrantë kinezë, punojnë në kushte të rënda, me pagesa minimale, për të prodhuar veshjet dhe aksesorët, që mbajnë logot e firmave më të famshme në botë.
Dhe megjithëse nuk janë akuzuar drejtpërdrejt, emrat e mëdhenj janë sërish në qendër të vëmendjes: Dolce & Gabbana, Prada, Versace, Gucci, Ferragamo, Yves Saint Laurent, Givenchy, Adidas, Alexander McQueen e shumë të tjera.Ç
Hetimet e reja tregojnë se modeli i shfrytëzimit nuk është episodik, por i rrënjosur thellë në mënyrën sesi funksionon zinxhiri i prodhimit. Markat e mëdha zakonisht nuk prodhojnë vetë. Ato ia kalojnë punën një kompanie italiane, e cila më pas e shpërndan tek të tjera kompani më të vogla. Në fund të zinxhirit, shpesh pa kontroll apo transparencë, puna përfundon në punishte informale kineze, të fshehura në periferi të qyteteve italiane. Është pikërisht aty ku zbulohen kushtet, që nuk përputhen aspak me imazhin e një industrie miliardëshe.










































