Kryefjala Logo

Sheila Haxhiraj flet për herë të parë pas humbjes të vëllait: Isha në shtëpi dhe nuk e shpëtova dot

7 Dhjetor, 2025 | 6:13 am

E ftuar në emisionin “S’e luan topi” me Erjona Rusin, këngëtarja Sheila Haxhiraj zgjodhi të flasë për herë të parë publikisht mbi humbjen e vëllait të saj, Henri Haxhiraj. Momenti ishte i ngarkuar emocionalisht, pasi plagët e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të hapura për të dhe familjen.

Gjatë intervistës, kur u pyet nëse Henri e kishte mbështetur në karrierën muzikore, Sheila nuk i mbajti dot lotët. Ajo u shpreh:
“Gjithmonë më ka përkrahur, në mënyrën e tij. E kam shumë të vështirë të flas për të, sepse është ende shumë herët që është larguar. Henri ishte krahu im i djathtë dhe mbeta pa gjysmën time, fizikisht, por unë e di që ai është bekimi, drita ime, është energjia ime që unë jam këtu sot.”

Sheila foli edhe për sfidat emocionale që mund ta çojnë një person në situata të brishta, duke nënvizuar se jo çdo gjë është në duart e njeriut:
“Ndosh që jeta ndonjëherë të çon në disa rrugë që ti gabon edhe janë disa gjëra që janë më të forta se vetja jonë, që nuk i kemi në dorë dhe prandaj ai nuk është më këtu me mua, me ne, me familjen tonë.”

Ajo theksoi se familja nuk kishte vënë re asnjë shenjë shqetësimi paraprak tek i vëllai, duke nënvizuar:
“Henri nuk ka dhënë asnjëherë shenja që të tregonte se çfarë kishte brenga të vetat, çfarë e shqetësonte. Ai nuk ka dashur asnjëherë që ne të na shqetësojë.Kur Henri ka ardhur dhe qëlloi veten, unë kam qenë në shtëpi dhe nuk e kam arritur dot që ta shpëtoj. Thjesht e kam parë tim vëlla në atë gjendje dhe atë kam peng: Si nuk e shpëtova? Si nuk i kam dhënë më shumë vëmendje. Pse e bëri Zoti kështu? Pse na sfidoi neve? Pse atë? Kam arritur të mendoj që pse ai, fëmija më i brishtë, më i butë? Aq sa kam menduar që pse nuk isha unë në vendin e tij?”

Duke reaguar ndaj raportimeve mediatike, të cilat pretendonin se Henri vuante nga depresioni, Sheila u shpreh qartë:

“Henri nuk ka vuajtur asnjëherë nga depresioni. Unë e di shumë mirë që im vëlla atë gjë e ka bërë në një moment axhitimi. Nuk e di se çfarë mund të ketë kaluar në atë 2-mujor, kështu që të gjitha të tjerat kanë qenë abuzime nga mediat.”

Të ngjashme