Showbiz
Sekreti i Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH
19 Shtator, 2025 | 4:54 pm

Koha ka fluturuar dhe edicioni i 64-të i Festivalit të Këngës në RTSH është në prag. Sivjet publiku duhet të presë një festival më të guximshëm, më modern dhe plot surpriza që do ta bëjnë të paharrueshëm. Drejtoresha artistike thekson se është thelbësore të ruhet shpirti i festivalit si një ngjarje kombëtare që i përket çdo shqiptari, me një skenë të jashtëzakonshme, orkestër të fuqishme dhe mbi të gjitha, këngë të mira. Ajo shprehet se fituesi duhet të jetë i vërtetë për publikun dhe jurinë, në mënyrë që gara të mbetet e pastër dhe e madhe.
Sipas saj, një festival i suksesshëm është ai që arrin të sjellë këngë-hite që mbeten gjatë në kujtesën e publikut dhe një përfaqësim dinjitoz në Eurovision. Pikërisht ky është vizioni i saj: të krijohet një festival ku publiku gjen muzikë që e do dhe ku Shqipëria shihet me respekt në skenën ndërkombëtare.
Pjesë e rëndësishme janë edhe të ftuarit specialë, të cilët shihen si ura që lidhin traditën me Europën apo botën. Edhe pse buxheti shpesh kërkon kompromis, shembuj si Slimane vitin e kaluar treguan se sa shumë mund të emocionojë publiku një artist i zgjedhur me kujdes. Megjithatë, këtë vit festivali mund të vijë i tëri “Shqip”, pasi tema e edicionit lidhet ngushtë me identitetin kombëtar.
Drejtoresha nxit publikun të përdorë imagjinatën dhe fantazinë, duke e parë këtë si pjesë të bukurisë së festivalit. Ajo mbetet kurioze për pritshmëritë e audiencës dhe është e bindur se surprizat e këtij viti do të japin përgjigje të denja.
Sa i përket këngës fituese, ajo nuk i kushton rëndësi zhanrit apo interpretuesit, por kërkon një krijim të fortë e të sinqertë, që prek publikun që në dëgjimin e parë dhe përfaqëson Shqipërinë me dinjitet në arenën ndërkombëtare.













































