Kryefjala Logo

Sa shkon pasuria e Giorgio Armanit dhe si do ndahet ajo mes motrës, nipave dhe mikut të tij të afërt

4 Shtator, 2025 | 7:41 pm

Ikona e stilit italian, Giorgio Armani, u shua më 4 shtator, duke lënë pas jo vetëm një boshllëk të madh në botën e modës, por edhe një trashëgimi që shkon përtej veshjeve. Ai punoi pandalshëm deri në momentin e fundit, ndërsa përgatiteshin defiletë e reja dhe një ekspozitë në Pinacoteca di Brera, e menduar për të festuar 50-vjetorin e shtëpisë së tij të modës.
Si u bë nga vizionar i thjeshtë në “Mbreti Giorgio”?
Gjatë pesë dekadave, Armani nuk krijoi vetëm kostume dhe fustane, por një stil jetese. Minimalizmi i tij elegant, linjat e pastra dhe tonalitetet neutrale e bënë simbol të rafinimit, duke i dhënë nofkën “Mbreti Giorgio”. Nga tapeti i kuq i Hollywood-it tek rrugët e Milanos, veshjet e tij ishin sinonim i autoritetit dhe finesës.

Në këtë rrugëtim, ai ndërtoi një perandori miliardere. Revista Forbes e renditi në vitin 2025 si të katërtin më të pasur në Itali dhe të 41-in në botë, me një pasuri personale prej 11,8 miliardë dollarësh.

Si do të ndahet pasuria dhe trashëgimia?
Armani nuk pati fëmijë dhe nuk ishte i martuar, kështu që nuk la trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Pasuria e tij pritet të ndahet mes motrës Rosanna Armani dhe nipërve e mbesave Silvana, Roberta dhe Andrea. Një figurë kyçe në këtë trashëgimi është edhe Pantaleo Dell’Orco, bashkëpunëtori i tij besnik, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe karrierës.

Një tjetër pjesë e rëndësishme është e ardhmja e Giorgio Armani S.p.A., ku stilisti mbante 99,9% të aksioneve. Që në vitin 2016, ai kishte krijuar Fondacionin Armani, për të garantuar vazhdimësinë e markës dhe për të mbrojtur kompaninë nga çdo blerje e jashtme. Ai kishte përgatitur edhe një statut të ri, që do të hyjë në fuqi pas ndarjes së tij nga jeta, duke përcaktuar kategori të ndryshme aksionesh me të drejta votimi të veçanta.

Më shumë se modë – një stil jetese
Armani nuk ishte thjesht një emër mbi një etiketë. Ai ishte një filozofi jetese, ku eleganca nuk ishte luks i tepruar, por thjeshtësi e sofistikuar. Trashëgimia e tij nuk matet vetëm në miliarda apo aksione, por në mënyrën se si e ndryshoi perceptimin tonë për modën: duke e kthyer atë në një gjuhë universale të finesës dhe vetëbesimit.

Të ngjashme