Kryefjala Logo

Protesta kundër dasmës së Dua Lipës në Palermo: “Sheshi ynë, nuk është dhoma jote e ndenjes”

6 Qershor, 2026 | 9:41 am

Ndërsa Palermo po bëhet gati për të pritur një nga dasmat më të komentuara të vitit, atë të këngëtares Dua Lipa dhe aktorit Callum Turner, në qytet kanë shpërthyer protesta kundër mbylljes dhe privatizimit të hapësirave publike.

Gjatë natës, në disa zona të qendrës historike janë vendosur pankarta dhe postera proteste pranë sheshit “Croce dei Vespri”, aty ku pritet të zhvillohet një nga eventet kryesore të ceremonisë. Mesazhe si “Palermo nuk është me qira” dhe “Palermo nuk është për të pasurit” janë shpërndarë gjerësisht edhe në rrjetet sociale.

Pas protestës qëndron lëvizja qytetare “Apro Palermo”, e cila prej kohësh kundërshton ndikimin e turizmit masiv dhe organizimin e eventeve ekskluzive që sipas tyre kufizojnë jetën normale të banorëve të qytetit.

Edhe pse pankartat u hoqën mëngjesin e sotëm, debati në Palermo vazhdon të jetë i fortë. Banorë dhe biznese lokale kanë shprehur pakënaqësi për kufizimet në qarkullim, masat e sigurisë dhe bllokimet e vendosura për shkak të ceremonisë.

Në zonat ku do të zhvillohen festimet janë ngritur barriera dhe struktura të përkohshme për të garantuar privatësinë e të ftuarve VIP.

Ndërkohë, Dua Lipa dhe Callum Turner kanë mbërritur tashmë në Palermo dhe po qëndrojnë në hotelin luksoz Villa Igiea. Sipas mediave italiane, në dasmë pritet të marrin pjesë mbi 200 të ftuar nga bota e muzikës, modës dhe spektaklit, mes tyre emra si Elton John, Charli XCX dhe Donatella Versace.

Ceremonia pritet të ketë jehonë ndërkombëtare, por paralelisht ka hapur një debat të fortë mbi kufirin mes promovimit turistik dhe të drejtës së qytetarëve për të përdorur lirisht hapësirat publike të qytetit.

Të ngjashme