Showbiz
“Pasqyra e mbretëreshës” Elhaida Dani rrëfen bashkëpunimet në album dhe romanca që e frymëzoi
14 Nëntor, 2025 | 7:44 pm

Këngëtarja Elhaida Dani ishte së fundmi e ftuar në programin “RUDiNA” në TV Klan, ku foli hapur si për jetën personale, ashtu edhe për projektet profesionale. Artisja zbuloi detaje të reja nga Festivali i Këngës në RTSH, ku për të dytin vit radhazi mban postin e Drejtoreshës Artistike, por edhe për surprizën më të madhe të këtij fundviti: albumin e saj të ri, i cili publikohet në fillim të dhjetorit.
Elhaida tregoi se për albumin ka punuar për më shumë se një vit dhe se çdo këngë do të shoqërohet me videoklip. E gjithë linja vizuale e projektit është kuruar nga Ajola Xoxa.
“Ajola ka kuruar edhe “Zanin” me disa elementë shumë të veçantë dhe do të jetë sërish pjesë e videoklipit të ri. Më pëlqen sepse është avangardë, i kushton vëmendje çdo detaji—nga veshjet, te flokët dhe estetika. Edhe unë këtë herë do të vij me një stil që publiku nuk ma ka parë më parë,” u shpreh këngëtarja.
Albumi nuk do të jetë vetëm, pasi Elhaida ka bashkëpunuar me disa emra shumë të njohur të muzikës shqiptare, si Don Phenom, Olsi Bylyku dhe Mc Kresha.
Një nga këngët më të veçanta është “Pasqyra e Mbretëreshës”, e shkruar mjeshtërisht nga Aida Baraku dhe e frymëzuar nga fletët e ditarit të Elhaidës. Kënga rrëfen historinë e dashurisë së saj me balerinin Ledian Agalliaj, i cili ka realizuar edhe koreografinë e videoklipit. Lidhja e tyre, siç tha këngëtarja, është bërë shumë e fortë ndër vite.
E pyetur nga Rudina nëse do të kenë një numër koreografik të përbashkët në skenën e Festivalit, Elhaida u shpreh:
“Ende nuk kemi menduar asgjë konkrete. Ledi është patjetër pjesë e festivalit dhe më ndihmon shumë në vendimmarrje, por jemi ende në fazat e hershme—po merremi me këngëtarët, këngët dhe orkestrën, që të gjithë të ndihen rehat. Vetëm pasi t’i sistemojmë këto, mund të mendojmë nëse do t’i shtojmë festivalit një numër të veçantë.”












































