Kryefjala Logo

Nga Trump, e deri tek Beyoncé e Kim Kardashian, publikohet lista e plotë me personazhet publikë të përfshirë në dosjen Epstein

16 Shkurt, 2026 | 10:37 am

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka bërë publik një dokument ku përmenden 305 individë të njohur, mes tyre Donald Trump, Bill Gates dhe Kim Kardashian, emrat e të cilëve shfaqen të paktën një herë në materialet që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein.

Në një letër drejtuar Kongresit më 14 shkurt, Bondi ka sqaruar se lista përfshin persona që “janë ose kanë qenë zyrtarë qeveritarë apo figura të ekspozuara publikisht”, të cilët rezultojnë të përmendur në dokumentet e deklasifikuara. Ajo thekson se përfshirja e emrave në këto materiale nuk nënkupton fajësi apo lidhje me veprime të paligjshme që lidhen me krimet e Epstein.

Në listë përmenden gjithashtu figura të njohura nga politika dhe showbiz-i, si Margaret Thatcher, Princesha Diana, Barbra Streisand, Keir Starmer, Amy Schumer, Jeff Zucker dhe Benjamin Netanyahu. Po ashtu, pjesë e saj janë edhe emra si Diana Ross, Melinda Gates, Tucker Carlson, Beyoncé, Meghan Markle, Mark Zuckerberg, JD Vance, Ronald Reagan, Princi Harry dhe Stephen Schwarzman, mes të tjerëve.

Sipas Bondi dhe zëvendësit të saj, Todd Blanche, këta individë përmenden në dokumente në “kontekste të ndryshme”, çka nuk nënkupton automatikisht përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein.

Publikimi i këtyre të dhënave vjen në kuadër të Aktit për Transparencën e Dosjes Epstein, i cili hyri në fuqi pasi u nënshkrua nga Donald Trump më 19 nëntor 2025. Ky akt parashikon deklasifikimin e të gjitha materialeve që lidhen me Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell, me përjashtim të rasteve kur është e nevojshme të mbrohen identitetet e viktimave, provat e hetimeve aktive apo çështjet e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të FBI-së, numri i viktimave të Epstein mund të jetë mbi 1000.

 

Të ngjashme