Politike
Elona Guri paralajmëron Edi Ramën: Nuk të shpëtojnë dot oligarkët, kriminelët dhe as konçensionet
2 Mars, 2021 | 7:21 pm
Drejtuesja politike e qarkut Durrës në radhët e LSI-së, Elona Guri i është përgjigjur Edi Ramës në lidhje me sulmet që ai ka bërë ditën e sotme në drejtim të LSI-së.
Guri shprehet se LSI është kthyer në makthin e tij më të madh, që i del në ëndërr dhe e lë pa gjumë.
Statusi i saj:
Edhe sot nuk e ndali logorenë e tij, si një llaxore e keqe lagjeje, duke sulmuar LSI.
LSI i është kthyer në makthin e tij më të madh, që i del në ëndërr, e lë pa gjumë.
Ai e kupton shumë mirë që nga vota e shqiptarëve në 25 prill nuk e shpëtojnë dot as oligarkët, as bandat, as milionat e koncensioneve, as kërcënimet me vendin e punës apo me ndërprerjen e përkrahjes sociale.
I rrudhur, i mplakur, i deformuar në fytyrë, Edi Rama e tregon qartë sikletin e tij të pas 25 prillit, ku do t’i duhet të japë llogari për të gjitha zullumet e bëra në kurriz të shqiptarëve që nga tradhëtia komëtare, vjedhjet me koncensionet kriminale, fshehjen e viktimave nga Covidi e deri ne lënien e qytetarëve vetëm përballë së keqes.
I tromaksur, i frikësuar, i ligështuar nga Aleanca e Madhe e Opozites së Bashkuar, Edi Rama çirret, shpif dhe kërcënon për të mbajtur me gajret “rilindasit” e tij të kapur nga tmerri i votës së lirë të shqiptarëve.
Ditët e tua po mbarojnë, ora e shqiptarëve të lirë po vjen. 25 prilli do të jetë fundi i makthit tënd dhe dita e ndryshimit për Shqipërinë. Më pas makthe edhe më të këqija të presin.
Kurseje veten se do kesh shumë për të folur, por kësaj radhe para Drejtësisë.