Kryefjala Logo

Vdekja e Marko Bellos/ revolta e Arben Malajt: Rilindas të babëzitur! Kurrë mos u ngopshi

4 Dhjetor, 2020 | 10:38 pm

Ish-ministri i Financave në qeverinë socialiste, Arben Malaj reagoi me zemërim pas vdekjes së ish-kolegut të tij, Marko Bello. Malaj poston një shkrim ku shihen reagimet e socialistëve Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Pandeli Majko për vdekjen e Bellos. Sipas Malajt, këto janë reagime hipokrite.

Boll me hipokrizinë tuaj ndaj kolegut dhe mikut Marko Bello! Lëreni të prehet i qetë! Është shumë e vërtetë që Marko ishte një deputet diplomat, ministër dhe profesor me vlera dhe kontribute të veçanta, por pasi e shpallët “Armik të Partisë”, asnjë mundesi nuk i dhatë që t’i shërbente vendit të tij me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm.
Kështu jeni sjellë me shumë shqiptarë të mirë, thjesht dhe vetem se i konsideroni armiq të partisë.
Pas nenit famëkeq 24/1 në ‘92 që largoi nga shërbimi publik disa mijëra shqiptare të ditur dhe me integritet, periudha juaj e “Rilindasve të babëzitur” do të jetë periudha më e zezë në shkatërrimin e institucioneve të shtetit dhe në largimin nga politika dhe administrata publike të kujtdo që ju pengon të vidhni deri në pangopësi.
Para 30 ditëve pushuat nga puna deputetin dhe ish-gazetarin luftarak e patriot të qarkut të Vlorës, Adrian Myslymaj thjesht për një sms që i nisi Taulant Ballës.
U angazhua drejtpërdrejt kryerilindasi Rama dhe e kërcënoi me pushim nga puna.
Ministria e Financave, Denaj brenda 48 orëve dhe jashte cdo procedure ligjore e pushoi nga puna.
Heshti Gramozi, mentori dhe promovuesi i tij politik.
Heshti bashkëluftëtari e bashkëgazetari Braçe.
Heshti Pandi dhe të gjithë të tjerët.
Ju nuk e kuptoni se sa shumë ju ka korruptuar pushteti absolut, ose ndoshta babëzia ka qenë motivi i vetëm në jetë.
Ju përligjni çdo vjedhje dhe abuzim sepse çdo njeri që ju denoncon, i suleni me gjithë arsenalin shpifës për ta vrarë, jo vetëm shpirtërisht.
Boll me pangopësinë tuaj!
Boll me hipokrizinë tuaj!
Boll me vuajtjet e pafund që me arrogancën dhe babëzinë tuaj po i kushtoni shqiptarëve të varfër.
Për kategorinë e arrogantëve dhe të babëziturve populli ka një mallkim nga shpirti: “Kurrë mos u ngopshi”!

F40B50A5 468E 4A3B BEA1 003549966668

Të ngjashme