Kryefjala Logo

Pranga “milionerëve” që deri sot mbanin në këmbë Erion Veliajn. Arrestohen Maringlen Qato dhe Redi Molla/ Kush janë “5 Drejtorët” e skandalit

28 Mars, 2024 | 7:34 pm

Dy nga drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, janë arrestuar pasditen e kësaj të enjte (28 mars 2028), në vijim të hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për të ashtëquajturën “afera 5D” ose e “5 drejtorëve”.

Mariglen Qato, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, konsiderohet si “guri i peshores” në atë që konsiderohet si kompania “5 Drejtorët” në denoncimet publike dhe kallëzimin zyrtar të opozitarit Belind Këlliçi, për përfitime të paligjshme dhe në konflikt interesi.
Ish-kryeinspektori jetëgjatë i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës, tashmë Qato është administrator i kompanisë publike dhe të shumëpërfolur, “Tirana DC”.

Në këtë detyrë, Qato zëvendësoi Redi Mollën, një tjetër emër i kallëzuar si i përfshirë në skemën e “5 Drejtorëve”.Molla mbajti për shumë vite pozicionin e drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës gjatë qeverisjes së qytetit nga Erion Veliaj.

Në krah të Qatos dhe Mollës ka qendruar gjithnjë emri i tretë i kallëzuar si “5 Drejtorët”, Elvin Tivari.
Tivari rezulton të ketë ushtruar për shumë vite detyrën e Drejtorit të Shitjeve në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.
Treshes kryesore i shtohen edhe dy drejtorë të tjerë.
Elisabeta Cjapi është kunata (motra e bashkëshortes) e Mariglen Qatos. Ajo rezulton të ketë qenë e punësuar si Drejtoreshë Finance pranë Ujësjellësit të Tiranës.

Vëllai i saj, Taulant Cjapi, njëkohësisht kunati i Mariglen Qatos, ushtron funksione drejtuese në Bashkinë e Tiranës.
Sipas “Listës së Pagave” të rrjedhur publikisht rreth dy vjet më parë, Taulant Cjapi figuronte njëkohësisht edhe si ‘Specialist i Lartë” në Bashkinë e Tiranës, edhe si “magazinier” në kompaninë “V.A.S Construction”, e cila sot ka ndryshuar emrin dhe quhet “5D Konstruksion”.

Kompania “5 Drejtorët”
Në qendër të skemës, sipas asaj që ka denoncuar nga Belind Këlliçi, qëndron kompania “5D Konstruksion”.
Kompania “5 D Konstruksion’, u themelua në 21 janar të vitit 2016. Ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin fillestar ‘Igor Elektrik’, ndërsa aksioner i vetëm i kësaj kompanie ishte shtetasi Eduard Meta. Ky shtetas, rezulton se ka njohje dhe miqësi me Mariglen Qaton.
Kjo është vetëm e dhëna e parë, që ngre dyshimin, se ish-kreu i IMT-s, Mariglen Qato, përdori shokun e tij, pra Eduard Metën, për të themeluar një kompani ndërtimi, fill pasi ai u emërua në një pozicion publik në Bashkinë e Tiranës.
Një vit pas themelimit, ndonëse me bilanc financiar pozitiv, Eduard Meta shet 75% të aksioneve të shoqërisë te shtetasi Muhamet Petriti për vetëm 75 lekë. Shitja e aksioneve u bë ndërsa kompania kishte arritur të kishte që në vitin e parë të operimit një xhiro prej 760 mijë dollarë.
Kontrata për shitjen e aksioneve u bë në 27 janar 2017, por u depozitua në qendrën kombëtare të biznesit një vit më vonë.
Nuk ka të dhëna nëse Eduard Meta dhe Muhamet Petriti kanë njohje direkte mes tyre, por lidhja e tyre e përbashkët është Mariglen Qato pasi Muhamet Petriti, rezulton se është vjehrri i vëllait të Mariglenit, Alfred Qatos.
Pasi u bë aksioner kryesor, i shoqërisë ‘5 D Konstruksion’, Muhamet Petriti emëron administrator të kompanisë Nestor Muhametllarin, me profesion inxhinier, i cili më herët ka punuar si inxhinier edhe në kompani të tjera ndërtimi.
Po në vitin 2018, Muhamet Petriti blen edhe 25% të aksioneve të mbetura në pronësi të Eduard Metës, duke u bërë aksioner i vetëm i shoqërisë ‘5 D Konstruksion’.
Muhamet Petriti, me profesion bukëpjekës, njëherëzi vjehrri i vëllait të Mariglen Qatos, në dhjetor të vitit 2018, bëhet aksioner me 100% të kapitalit i kompanisë ‘5 D Konstruksion.
Tre vite pasi u bë aksioner me 100 % të kapitalit te shoqërisë, Muhamet Petriti në 10 mars të vitit 2021, ja shet kompaninë vartësit të tij Nestor Muhametllari. Muhamet Petriti e shet kompaninë në një kohë që përgjatë katër viteve, ajo kishte realizuar një xhiro prej 9 milionë eurosh, dhe fitim më shumë se dy milionë euro.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se kompania “5D Konstruksion”, në kohën kur ka pasur emrin “V.A.S Construction”, ka fituar të paktën 11 milionë euro tendera në Bashkinë e Tiranës.
Shumicën absolute të këtyre procedurave e ka fituar pa garë ose pas skualifikimit të operatorëve të tjerë ekonomikë, duke u shënuar si “tendera me flamur të kuq”.
Veliaj, leje ndërtimi për “5D Construction”
Në datën 11 mars të vitit 2021, kompania ‘5 D Konstruksion’, fillon punimet bazuar në lejen e ndërtimit të dhënë nga Erion Veliaj. Bëhet fjalë për rrugën ‘Joklin Persi’, në Yzberisht, ku sipas të dhënave, ‘5 D Konstruksion’, ka ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimi 8 dhe 9 kate, me dy kate parkim në tokë.
Në datën 14 prill 2022, kjo kompani përfiton një tjetër leje ndërtimi, këtë herë në rrugën ‘Kahreman Ylli’ në Kinostudio, për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi 7 dhe 8 kate me 2 kate parkim nëntokë.

Leja e tretë e ndërtimit për ‘5 D Konstruksion’, do të jepet vetëm pak javë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit të vitit 2023.
Në datën 14 qershor të vitit 2023, shoqëria ‘5 D Konstruksion’ sfillon punimet në rrugën ‘Zenel Bastari’, për projektin e ndërtimit të një godine banimi dhe shërbimi 4 dhe 9 kate me 2 kate të tjera banimi nën tokë.
Të gjitha këto leje ndërtimi, shoqëria ‘5 D Konstruksion’ i ka pasqyruar në një raport të Ecurisë së Drejtimit të vitit 2022.
Si lidhen “5 Drejtorët”
Në Tetor të vitit 2021, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e zv.kryeministrit të kohës, Arben Ahmetaj, miratoi vendimin për dhënien e statusit të investitorit special kompanisë “Mediterranean Investment Group”.
Në bazë të këtij vendimi, “Mediterranean…” lejohej që të ndërtonte një strukturë hoteliere shumë-katëshe me vlerë 15 milionë euro në qendër të Durrësit, të emërtuar “Crown Plaza Durrës”.

Aksionerë të kompanisë “Mediterranean Investment Group” janë:
– Shoqëria “Etitur”, në pronësi të Elvin Tivarit, zotëron 24 përqind
– Shoqëria “Daktur” në pronësi të Dritan dhe Arjana Kadiu, zotëron 24 përqind
– Shoqëria “Restur” në pronësi të Selim Molla (babai i Redi Mollës së Bashkisë Tiranë), zotëron 24 përqind
– Shoqëria “Landways International” e Gazmend Haxhia zotëron 27 përqind
– Bledar Tivari, vëllai i Elvin Tivarit të Bashkisë së Tiranës, zotëron 1 përqind.

Pikërisht, Bledar Tivari dhe Selim Molla, së bashku me dy aksionerët e tjerë, i kanë besuar zbatimin e projektit konstruktiv të hotelit miliona euro në Durrës, shoqërisë ‘5 D Konstruksion’, në të cilën kanë pasur interesa për shumë vjet njerëz të afërt të Mariglen Qatos.

IMG 0042

IMG 0043

IMG 0044

IMG 0045

IMG 0046

IMG 0047

IMG 0048

IMG 0049
Nga Boldnews.al

Të ngjashme