Lajme nga vendi
Ligji e ndalon por qumështi pluhur reklamohet në rrjet dhe ul gjidhënien!
18 Maj, 2024 | 10:43 am
Ligji shqiptar është shumë i qartë, e zeza mbi të bardhë, duke u shrpehur qartë se ndalohet reklamimin i qumështit pluhur. Por nga hulumtimi që ZËRI ka bërë në rrjetet sociale, por edhe në pikat farmaceutike në terren, ky ligj nuk respektohet.
Çfarë thotë ligji shqiptar për reklamimin e qumështit pluhur?Ligji shqiptar, nr.8528 i dt. 23.9.1999 “për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, ndalon reklamimin e qumështit formulë.
Në pikën 4, thuhet qartësisht se “Prodhuesve dhe shitësve u ndalohet reklama dhe promovimi i produkteve të përcaktuara në nenin 2 pika ç, duke përfshirë këtu paraqitjen speciale, vizuale në ekrane, reklamat për ulje çmimi, çmimet stimuluese, shitjet speciale, ulje çmimi me kushte të veçanta apo dhurata, si dhe promovimi i tyre në një qendër shëndetësore apo institucion tjetër të sistemit shëndetësor shtetëror ose privat.”
Në fakt, realiteti qëndron larg parashtrimit të ligjit dhe asaj që do të duhet të ishte strategjia kombëtare për promovimin e gjidhënies kundrejt qumështit formulë. Në botë, ka supermodele që reklamojnë “breastfeeding”; gra politikane që shkojnë në sallë me të vegjlit e tyre, por në Shqipëri po ndodh e kundërta. Qumështi pluhur është kthyer në trendin e postimeve në rrjetet sociale dhe reklamimit gjithashtu. Ndarja e eksperiencave mëmësore pas lindjes janë duke u kthyer edhe në një burim të ardhurash për nënat e reja që kanë një rrjet ndjekësish në mediat sociale. Shpesh, ato i përdorin kanalet për të ekspozuar edhe produktet që ato zgjedhin për të vegjëlit, dhe këtu në jo pak raste reklamohet edhe qumështi online.
Personazhe të njohur publikë, moderator dhe këngëtare, në partneritet me kompanitë që shpërndajnë qumështin formulë në Shqipëri, reklamojnë në postime zgjedhjen e qumështit formulë për foshnjat, duke mos njoftuar së pari ndjekësit se postimet në fjalë janë një reklamë… e ndaluar me ligj.
Ligjin që po shkelet përmend edhe neonatja Ada Simeoni.
“Me ligjin shqiptar, reklamimi i qumështit artificial është i ndaluar, por këto gjëra nuk ndodhin në mënyrë të hapur.”
Por duket se organet ligjzbatuese nuk e shohin, ose janë të pafuqishëm për të vepruar.
Farmacitë dhe “influencerat” e rrjetit kanë zgjedhur që të shkelin ligjin për mosreklamimin e qumështit pluhur, duke u ‘fshehur’ pas rrëfimeve. Nga vëzhgimi që ZËRI ka bërë gjatë mbledhjes së materialeve për dokumentarin “Qumështi i ndaluar”, personazhe të njohur në rrjet reklamojnë marka të qumështit, duke u kamufluar nëpër tregime historish që i ‘shesin’ si personale. Përmes tregimit të historive personale, se përse kanë zgjedhur të mos i japin fëmijës gji, por formulë, blogerët zgjedhin të bëhen njësh me “nënën”, të tregojnë se edhe ato kanë patur të njëjtat vështirësi, se edhe atyre iu duhej patjetër të zgjidhnin formulën kundrejt gjirit, për arsye nga më të ndryshmet. ZËRI i ka kontaktuar të gjitha blogeret dhe influencerat që kanë zgjedhur të reklamojnë qumështin formulë për të vegjlit e tyre. Por asnjëra nuk pranoi të jepte një koment!
Njësoj pason heshtja edhe nga kompanitë kryesore të tregut. Plasmon, Aptamil, Nutriben, Kendamil e Milupa, janë disa nga markat kryesore që janë prezente në Shqipëri.
ZËRI i kontaktoi me email dhe telefon këto kompani, të cilat nuk pranuan të jepnin një sqarim publikisht se përse ato zgjedhin të bëjnë bashkëpunime për të reklamuar qumështin formulë, kur ligji shqiptar e ndalon. Jashtë kamerës, pohojnë se janë në respekt të ligjit.
Gjidhënia ka shënuar rekordet më të ulëta ndonjëherë në vendin tonë. Por çfarë masash ka marrë Ministria e Shëndetësië dhe e Mbrojtjes Sociale? ZËRI kontaktoi zyrtarisht me institucionin. Përdorimi në masë i qumështit formulë konfirmohet edhe nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosacaj që pavarësisht përdorimit të formulës, shpjegon se strategjia shtetërore nuk mungon për të promovuar gjidhënien.
“Ka patur një traditë të mirë të gjidhënies, që ka qenë shumë prioritare. Pas viteve ’90 kjo situatë nisi të kalonte në tendenca për eleminimin e ushqyerjes me gji, për shkak të disa teorive që qarkullonin, në lidhje me nënat e reja që nuk donin që fëmijët e tyre ti ushqenin me gji. Por politikat tona shëndetësore kanë promovuar gjidhënien,”-u shpreh për ZËRI-n, zv.Ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosacaj.
Por megjithatë, duket se strategjitë janë të dobëta përpara shifrave.Për të provuar sesi qumështi artificial mund të blihet pa asnjë rekomandim, duke u kthyer në një trend, ZËRI shkoi më tej. ZËRI shkoi në farmacitë kryesore të Tiranës, atje ku bashkëpunëtorja jonë, e prezantuar si një nënë e re, pyeti se a mund të blinte qumësht formulë pa një rekomandim nga mjeku. Përgjigja ishte “sigurisht që po”, madje farmacistja rekomandon disa produkte, pa ditur asgjë për bebin që do ta ‘konsumojë’. Megjithatë nuk ishte një! Fenomeni shtrihet më gjerësisht edhe në disa farmaci në kryeqytet, të cilat totalisht në ndalim me ligjin, zgjedhin të bëjnë reklamimin e formulës në fasadat kryesore të dyqaneve të tyre. Po kaq lehtë dhe pa rekomandim pediatri edhe mund të blihet ky produkt.
Të gjithë farmacistët e ofrojnë larminë e produktit, japin edhe përshtypjet e tyre se cili qumësht është më i mirë se tjetri. Kjo sigurisht pa e pyetur nënën, qoftë edhe për një rekomandim nga pediatri.
Sërish neonatja Ada Simeoni, sqaron se përse duhet një rekomandim nga mjeku në rastin që nëna e ka të nevojshëm blerjen e qumështit pluhur.
“Në raste të veçanta rekomandojmë qumështin pluhur që duhet për bebin. Për fëmijët prematurë, ka qumësht specifik, për të tjerët ka specifikë. Njerëzit shkojnë në farmaci dhe marrin ilaçe për fëmijët dhe ne unë s’jam dakord. Në raste specifike, mjeku ndërhyn dhe kërkon të futet qumësht formulë, por rekomandimin duhet ta marrë nga mjeku. Bashkëpunimi ekziston, recetat tona ekzekutohen në farmaci, por duhet rekomandimi i mjekut. Nuk ka një brand të caktuar që zgjidhet nga ne. Ne insistojmë për gjidhënien,”-shton ajo për mikrofonin e ZËRI-t.
Edhe pse këshillimi farmaceutik nuk është një shkelje ligjore, kjo tregon një praktikë pune të përditshme që tregon sesa më të thjesht e ka një nënë ti blejë fëmijës formulë në vend sesa të zgjedhë gjidhënien për të. E për këtë arsyet janë të shumta.
Pjesë nga dokumentari i ZËRI-t