Aktualitet
Tronditet Kamza:Shpërthim në 4 të mëngjesit nga një djalë i maskuar
18 Nëntor, 2023 | 12:25 pm
Në orët e para të mëngjesit të sotëm , një sasi tritoli prej 50 gramësh ka shpërthyer në ambientet e jashtme të një lokali të marrë me qira nga 24 vjeçari Oltjon Muçaj në Kamëz.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:25, në rrugën “Donald Trump”. Si pasojë e shpërthimit, raportohen vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme të lokalit ku janë thyer disa xhama.
Mësohet se një makinë tip “Audi” e autorëve të ngjarjes ka lëvizur disa herë duke vëzhguar me kujdes zonën. Njëri prej personave, autor i vendosjes së tritolit, ka dalë nga makina dhe ka vëzhguar terrenin. Me një kapele në kokë, që e bën të vështirë identifikimin, ka ngjitur shkallët dhe fillimisht ka parë të gjithë terrenin pranë lokalit, në një pjesë si tunel të pallatit.
Nga aty është larguar sërish, kanë bërë xhiro me makinën dhe disa minuta më vonë janë rikthyer. Sapo ka dalë nga makina ka ndezur fitilin e tritolit, të gjatë rreth 30 cm dhe me shpejtësi është ngjitur, e ka hedhur pranë lokalit dhe menjëherë janë larguar.
Ndërkohë në dëshminë e dhënë për policinë, 24 vjeçari është shprehur se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk ka ide se kush mund të kenë qenë 2 autorët.