Kryefjala Logo

Ekskluzive/ Erion Veliaj thirret në SPAK

5 Prill, 2024 | 4:06 pm

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë një ditë më parë fletëthirrjen nga SPAK-u për t’u paraqitur dhe për t’u pyetur në lidhje me dy dosje famoze, e para ajo e inceneratorëve dhe e dyta dosja “5D”, të cilat kanë kulmuar me arrestimin e njerëzve të të gjithë komandës drejtuese të Bashkisë Tiranë me rreth 9 drejtorë dhe disa zyrtarë të tjerë.

CNA ka mësuar se SPAK-u do të ketë veprime të tjera në lidhje me drejtorët dhe bashkëpunëtorët e Veliajt, të cilët po hetohen për çështjen e inceneratorëve. Gjithashtu janë thelluar edhe më tej hetimet për dosjen “5D”.
CNA, nga burimet zyrtare, ka konfirmuar se Erion Veliaj është thirrur javën e shkuar për t’u paraqitur në SPAK, por arsyet shëndetësore, plasja e tëmthit pas arrestimit të drejtorëve, ka bërë që Veliajt t’i shtyhen paraqitjet. Një fletë e dytë thirrjeje ka shkuar te kryebashkiaku ditën e djeshme, duke caktuar javën e ardhshme si afat për të paraqitur dhe për t’u pyetur nga SPAK-u.

Mësohet se prokurorët e SPAK-ut kanë mundur të sigurojnë fakte dhe prova, të cilat implikojnë edhe kryebashkiakun, Erion Veliaj, në çështjen e inceneratorëve dhe të dosjes “5D”, jo vetëm për faktin se ai ka qenë një person në dijeni të gjithçkaje ka ndodhur, por dyshohet edhe për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.

Veliaj prej disa vitesh ka qenë një nga “avokatët” kryesorë të aferës së inceneratorëve. Ai e mbronte me pathos dhe deklaronte se ishte një investim i suksesshëm.

Nga ana tjetër, ai ka detyruar drejtorët e tij të firmosin një kontratë shtesë mbi kontratën koncesionare të inceneratorëve, siç është ajo e dherave, e cila ka kapur vlerën marramendëse, që shkon në rreth 60 milionë euro.

Para këto të cilat nuk dihet se ku kanë shkuar, por deri tani SPAK-u ka mundur të sigurojë informacione zyrtare se këto fonde janë përdorur në mënyrë abuzive, nuk janë investuar, janë keqpërdorur, pa shkuar te fakti se janë paguar shuma të mëdha parash për mediat për korrupsion.

Burimi/CNA

Të ngjashme