Lajme nga vendi
Kokëfortësia e Ramës që do na kushtojë 110 milionë euro
28 Nëntor, 2020 | 11:17 am

Një shkrim i prestigjiozes austriake “Der Standard”, ka njoftuar se asetet e qeverisë shqiptare po vendosen nën sekuestro për llogari të biznesmenit Francesco Becchetti. Megjithëse çështja është në apel, bankave dhe kompanive energjetike austriake, u kërkohet të ngrijnë pasuritë ose aksionet që mund të ketë qeveria shqiptare.
Historia e mbylljes së Agon Channel dhe prishja e kontratave me zotin Becchetti duket se do iu kushtojë shumë shqiptarëve në këtë kohë pandemie. Shuma prej 110 milionë eurosh që qeveria po refuzon t’i paguajë është barabartë me shumën që u shpërnda për të gjithë shqiptarët gjatë karantinës, pasojë e një inati personal të kryeministrit për qëndrimet opozitare që kjo media mbajti për zgjedhjet lokale të vitit 2015, investigimet e skandaleve qeveritare e deri te dasma luksoze e Erion Veliajt në Kalanë e Gjirokastrës.
Nga Armand Maho
Denoncimet për manipulimet e votave në vitin 2015, qëndrimet e ashpra editoriale të Agon Channel ndaj qeverisë u bënë shkak që Edi Rama të ushtronte një sjellje inatçore ndaj televizionit që kishte vetëm dy vite e gjysmë në transmetim. Prerja e dritave, e sinjalit televiziv akuzat e stisura që iu bënë pronarit të saj janë bërë shkak që Shqipëria jo vetëm të paguajë 110 milionë euro në një nga periudhat më të vështira të saj, por dhe për shkatërrimin e imazhit të vendit në botë. Bëhet fjalë për çështjen e Francesco Becchettit, të cilit qeveria shqiptare duhet t’i paguajë një shumë të barabartë me atë që pagoi përgjatë kohës së pandemisë. Refuzimi për të përmbushur këtë detyrim të gjykatës së arbitrazhit rrezikon të na kthejë në një republikë bananesh, siç do komentonte një lexues i prestigjiozes “Der Standard”. Rama po iu kushton shqiptarëve më shumë se ç’mund të rrokë mentaliteti i një populli.
**
Që nga ardhja e Rilindjes në pushtet, ka pasur shumë skandale, por çështja e Francesco Becchettit, është një nga dëshmitë më të forta se si një individ e përdor pushtetin për të kënaqur inatet e tij personale. Pasuritë e qeverisë shqiptare në botë janë vënë nën sekuestro, sipas një shkrimi të prestigjiozes “Der Standard”. Autori i shkrimit është Eric Frey, një emër i njohur në gazetarinë e shtetit gjermanik, sidomos në fushën e ekonomisë dhe politikës, redaktor që prej vitit 1995 në “Der Standard” të Vjenës. Por çfarë do të thotë që Shqipërisë t’i vendoset sekuestro, të aseteve nëpër botë. Me pak fjalë, llogaritë bankare, kreditë apo grantet nuk mund të lëvrohen pa u plotësuar më parë shuma që qeveria i ka borxh investitorit.
**
Çështja Becchetti është mendësi tipike e autoritarizmit provincial, ku kapriçot e momentit dhe trajtimi i postit të kryeministrit si bajrak, rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve. Është një luftë që i bëhet lirisë së mediave, në emër të shtetbërjes që propagandonte Rama, Veliaj and Co në vjeshtën e 2015-ës. E si mund të guxonte një investitor italian të kritikonte në median e tij misionarin e mirëqenies dhe vendosjes së ligjit. Francesco Becchetti në atë kohë kish bërë një revolucion mediatik, me shpresën që të shpërndahej dhe në perëndim. Por kjo nuk kishte shumë rëndësi për kryeministrin dhe ortakët e tij të propagandës, të cilët manipulimin e opinionit e kanë mjetin me të cilin përfitojnë tendera e para publike.
**
“Eureka” do thërrisnin spin doktorët e propagandës, po ashtu dhe tabori qeveritar. Një investim i vonuar në Kalivaç të Tepelenës në lidhje me një Hidrocentral në Vjosë, do konsiderohej si arma kryesore për luftën ndaj Becchettit, dhe jo vetëm kaq por do mobilizohej e gjithë ushtria e propagandës mediatike rreth Zeusit fuqiplotë, për të sulmuar “tradhtarin” që kish guxuar të nxirrte shpenzimet marramendëse prej 300 mijë eurosh të Veliajt dhe manipulimin e votave në zgjedhjet lokale. Emisioni “Ça thu…”, në korrik do transmetonte me zë e figurë se si një person mund të votonte 20 herë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit të vitit 2015. Agon Channel kish shkuar shumë larg. Kish shkelur vijën e kuqe, duke paraqitur si gënjeshtar të rëndomtë Veliajn e Bashkisë (tha që shpenzimet e luksit në kalanë e Gjirokastrës dhe Pezë për martesën e tij ia kish paguar mamaja) dhe si vjedhës të zgjedhjeve me anë të listave zgjedhore dhe kartave të identitetit Edi Ramën. Një vizatim të një personazhi të ri autoritar që po lindte vetëm dy vjet pasi kish marrë pushtetin. Për mitomaninë e rilindjes kjo do ishte e tepërt…
**
Vendimi i arbitrazhit ka ardhur në momentin më të keq. Pavarësisht se çështja ka shkuar në apel, shpresat që ky vendim të ndryshojë në favor të buxhetit të rrënuar të shtetit shqiptar duken të pakta. Në një kohë kur shqiptarët, me gjithë varfërinë e tyre po harxhojnë shuma marramendëse për t’u kuruar nga COVID-19. Por ajo që ndoshta po i vret më shumë pa e kuptuar është varfëria. Paratë që do duhet të vijnë për rindërtimin apo kreditë për pandeminë do i kalojnë Francesco Becchettit. Ligjet dhe konventat ndërkombëtare nuk pyesin për sharlatanizmin qeveritar të Shqipërisë, sharlatanizëm që mbyll gjykatat dhe rrëmben pronat. Ato nuk duan t’ia dinë për kapriçot e liderit global, apo për nevojën emergjente për mallra luksi të Erion Veliajt. Kompania e përmbarimit austriake e përmbarimit Dorda, filloi me bllokimin e aseteve në Austri, kjo pritet të ndodhë në të gjitha vendet e botës derisa të plotësohen 110 milionë eurot që pa të drejtë ia kemi borxh Becchettit. Dhe shqiptarët do vazhdojnë të përpëliten nën kthetrat e pandemisë, do vazhdojnë të përjetojnë mjerimin në çadrat e tërmetit. Dhe t’ia bësh këtë popullit tënd që të besoi me votë për të menaxhuar jo vetëm paratë por edhe hallet e tij, është më shumë se kriminale…
Qeveria refuzon të paguajë, pasuritë e shtetit shqiptar do merren nga përmbarimi.
Mbrëmjen e 26 nëntorit gazeta “Der Standard”, do të botonte shkrimin me titull “Pasuritë shqiptare do të konfiskohen pas vendimit të arbitrazhit”. Në shkrimin e prestigjiozes austriake, përmendej fakti se si një letër iu kishte shkuar bankave austriake dhe kompanive energjetike në lidhje me këtë çështje nga kompania vendase ligjore Dorda. Nga ky vendim përjashtohen vetëm selitë diplomatike të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare. Vendimi ka ardhur pasi qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë detyrimin në bazë të vendimit të arbitrazhit, duke i bërë një dëm jo të vogël imazhit të vendit. Në komentet poshtë shkrimit të “Der Standard”, nuk ishin të pakët lexuesit që e shikonin vendin tonë si republikë bananesh, eksportues të drogës dhe kriminalitetit, apo një aspirante e gabuar për në Bashkimin Evropian.


















































