Kryefjala Logo

Ja çfarë premtimi i bëri Tuna, djalit të Shpatit…

2 Dhjetor, 2025 | 5:15 pm

Atmosfera në mbledhjen komemorative për Shpat Kasapin u mbush me emocion në momentin kur Tuna Sejdiu mori fjalën. Këngëtarja, një nga personat që ka ndarë vitet më të hershme të jetës me artistin e ndjerë, solli para të pranishmëve një rrëfim të sinqertë, të dhimbshëm dhe të mbushur me kujtime që i rikthyen të gjithë pas në kohë.

“Unë dhe ti Shpat ecëm nëpër shumë rrugë bashkë, ishim shokë klase, ishim fëmijë të bekuar me prindër që na mbështetën në ëndrrat tona për muzikën. Ishim adoleshentë që provuam barrën e popullaritetit para se ta kuptonim çfarë do të thoshte ajo, ishim dy të rinj që në betejat nga Shkupi të depërtonim në Prishtinë, Tiranë e kudo që ka shqiptarë dhe ia dolëm Shpat. Ti ia dole sot kënga jote jehon në çdo qytet, në çdo shtëpi, në çdo zemër ku flitet shqip sepse ti le shumë pas, le muzikën që do të mbajë emrin tënd të gjallë përherë, le buzëqeshjen tënde atë buzëqeshje që nuk u largua asnjëherë nga fytyra jote, le porosinë se të jesh i mirë, i pastër, i qetë, i dashur është vlerë e njerëzimit,” u shpreh ajo.

Në fund të fjalimit, Tuna ndau një premtim të veçantë për djalin 3-vjeçar të Shpatit, Roelin, duke prekur publikun edhe më shumë.

“Shpat Kasapi miku ynë, ti ishe dhe do të jesh pjesë e një brezi të artë. Do të vijnë emra të tjerë, do të krijohen këngë të tjera, por vendi yt, drita jote nuk do të zëvendësohet. Dhe nëse një ditë Roeli vendos të ngjitet në skenë, unë do të jem aty, të premtoj se do ta mbështes ashtu si dikur që ne mbështetëm njëri-tjetrin. Ky është premtimi im.”

Fjalët e Tunës mbetën një nga momentet më të ndjera të homazheve, duke përforcuar dashurinë, respektin dhe lidhjen e veçantë që ajo ka pasur me këngëtarin e ndjerë.

Të ngjashme