Showbiz
“Hall i madh, të jetosh me një artist si unë”, Lorenc Hasrama konkuron në Fest 64′ me “Lamtumirë”
30 Tetor, 2025 | 4:14 pm

Lorenc Hasrama kthehet për të dytin vit në Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë herë, në Fest64 ai prezantohet si kantautor.
Në një intervistë për emisionin “Në radio” të Andri Xhahut, Hasrama tregon se si lindi kënga.
“Kisha pak kohë që nuk po qëndroja në studio. Kisha mbledhur shumë emocione të ndryshme. Çdo gjë nga jeta jonë përkthehet në nota. U ula të krijoj akordet e para. Erdhi shumë natyrshëm. I çmoj materialet që vijnë natyrshëm. Zakonisht këngët e mia më të mira bazën e kanë krijuar shumë shpejt”.
Kantautori tregon se pika e fortë te materiali që ka shkruar është se fjalët kryesore vijnë që në krijimin e melodisë.
“Që në fillimin e strofës dhe refrenit kënga merr rrjedhën ku është më e thjeshtë të shkruash tekstin. E merr logjikën dhe atë çfarë më ka dashur mua shpirti të them.”
Më tej ai zbulon se “Lamtumirë” shpreh emocione dhe ndjenja të forta.
“Kënga flet për një dashuri që tashmë është larguar, por mendja dhe zemra nuk e konceptojnë dot që ajo dashuri ka ikur”.
Lorenc Hasrama ka qenë në kërkim të një kënge të tillë në repertor.
“Më fle shumë si këngë. Është një pop klasik, si një Vasco Rossi apo Pirro Çako, artistë që i dua dhe i dëgjoj sa herë them ‘dua të pastroj veshët’. Jam munduar të shkoj te kualiteti i këtyre artistëve që unë i quaj të mëdhenj dhe që kanë lënë shenjë. Kam krijuar një pop-rock klasik apo soft-rock-un e filmave Disney. Janë akorde më të gëzueshme me tematikë pak të dhimbshme”.
Dëgjuesja e parë e krijimeve të reja është partnerja e tij. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me këngën e Fest64.
“Partnerja ime i suporton shumë ndjesitë e mia. Kjo është ndoshta dhe një arsye pse jemi bashkë. Të jesh me një artist si puna ime është hall i madh, (qesh) me luhatje emocionale, hyn në gjendjet e këngëve dhe vështirë të dalësh. Kënga i pëlqeu sepse e kupton që është një material shumë afër meje. Dukesh i përfshirë që kur ia dërgon këngën dhe i thua ‘Shiko çfarë kam bërë’”.
Hasrama thotë se nuk hyn në një garë muzikore në bazë të pritshmërive.
“Nuk bëhem deluzional. Dua ta shijoj. Jo se nuk më intereson fitorja, por nuk harxhoj energji. Është e tepërt. Më duket ego që do më shkatërronte si artist”.
Nëse e ka parë ndonjëherë veten në skenën e Eurovizionit, ai shprehet: “Është një skenë e madhe që çdo artist dëshiron ta prekë. Mua do më pëlqente që Eurovizioni të ishte live 100 për qind. Të ishte me një orkestër të madhe, siç vlerësoj këtë gjë në Festivalin e RTSH”.












































