Kryefjala Logo

Gripi i shpendëve përhapet në Tiranë

29 Dhjetor, 2024 | 10:18 am

Një vatër e re e gripit të shpendëve është konfirmuar në zonën e Zall-Herrit, Tiranë. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) njoftoi se, pas analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, është konfirmuar prania e virusit të Influencës Aviare (H5N1) në një fermë familjare që mban pula dhe gjela deti, shkruan Newsbomb.al

Sapo u mor konfirmimi zyrtar mbrëmjen e djeshme, autoritetet ndërmorën masa urgjente për të kontrolluar situatën. Përfaqësuesit e AKVMB inspektuan këtë mëngjes zonën e prekur, duke vendosur masa të menjëhershme për eliminimin e shpendëve të infektuar dhe çrrënjosjen e virusit. Zona është vendosur në karantinë, ndërsa janë krijuar perimetra mbrojtjeje dhe mbikëqyrjeje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Kjo është vatra e dytë e konfirmuar në Tiranë pas shpërthimit të parë disa javë më parë në një fermë familjare në Mëzez. Edhe atëherë, autoritetet reaguan për të kufizuar përhapjen e virusit, duke marrë masa strikte mbrojtjeje.

Institucionet mbeten të angazhuara për të monitoruar situatën dhe për të minimizuar rrezikun për shpendët dhe shëndetin publik.

Të ngjashme