Showbiz
Flet për herë të parë Christine Cabot, tregon të vërtetën e skandalit në koncertin e Coldplay
18 Dhjetor, 2025 | 7:54 pm

Pas skandalit që pushtoi rrjetin dhe mediat ndërkombëtare gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, Christine (Kristin) Cabot ka reaguar për herë të parë publikisht, duke thyer heshtjen mbi momentin viral që i kushtoi karrierën.
Cabot, drejtoreshë e burimeve njerëzore në kompaninë “Astronomer”, u bë objekt diskutimesh pasi u shfaq në ekranin gjigant të koncertit në një moment intim me shefin e saj të martuar, ish-drejtuesin ekzekutiv të kompanisë. Pamjet u transmetuan nga “kiss cam”, ndërsa reagimi i tyre i menjëhershëm për t’u larguar nga kamera ndezi dyshimet dhe komentet.
Pas muajsh spekulimesh, Cabot ka sqaruar për New York Times se ajo që ndodhi ishte një gabim i vetëm, i nxitur nga alkooli dhe atmosfera festive e mbrëmjes. Ajo pranoi se sjellja e saj ishte e papërshtatshme, por mohoi kategorikisht se kishte pasur një lidhje intime apo marrëdhënie seksuale me eprorin e saj.
“Solla veten në një situatë të gabuar. Piva disa pije, u mora nga momenti dhe kalova kufijtë profesionalë. Ishte një vendim i keq dhe e pagova shtrenjtë,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se humbja e karrierës ishte pasojë e drejtpërdrejtë e atij momenti.
Cabot pranoi se kishte një simpati për eprorin e saj, por theksoi se para koncertit nuk kishin pasur asnjë afrim intim. Sipas saj, momenti në koncert ishte i pari dhe i fundit i këtij lloji.
Ngjarja u kthye shpejt në një stuhi mediatike. Ajo tregon se është përballur me fyerje, etiketime publike dhe mbi 60 kërcënime me vdekje nga persona të panjohur. “Askush nuk duhet të kërcënohet për një gabim, sado i rëndë të jetë ai,” u shpreh ajo.
Situata u bë edhe më e ndërlikuar për shkak të pozicioneve të tyre drejtuese brenda së njëjtës kompani. Pas nisjes së hetimeve të brendshme, të dy u vendosën fillimisht në leje, ndërsa më pas drejtuesi ekzekutiv dha dorëheqjen dhe Cabot u largua nga kompania.
Ajo zbuloi gjithashtu se në koncert ndodhej edhe bashkëshorti i saj i ndarë prej kohësh, me një shoqëruese tjetër. Çifti kishte qenë i martuar për dy vite, por marrëdhënia ishte në krizë para incidentit. Procesi i divorcit u nis zyrtarisht disa javë më pas.
Sot, Cabot thotë se po përpiqet të rindërtojë jetën e saj personale dhe profesionale, ndërsa kontaktet me ish-shefin kanë përfunduar plotësisht. “Për të ecur përpara, duhej të mbyllej çdo komunikim,” përfundon ajo.











































