Showbiz
Fest 64’ drejt publikimit të këngëve, organizatorët: “Po punojmë që çdo detaj të jetë i përsosur”
21 Nëntor, 2025 | 9:55 pm

Fansat e Festivalit të RTSH-së mezi po presin të dëgjojnë këngët konkurruese të edicionit të 64-t. Organizatorët kanë njoftuar se procesi i përgatitjes është në fazat e fundit dhe se çdo projekt po punohet me kujdes maksimal nga autorët dhe ekipi teknik.
Në një mesazh të shpërndarë për publikun, stafi i Fest 64’ shprehet se po bëhet një punë intensive për t’i sjellë këngët jo vetëm të realizuara në nivel të lartë profesional, por edhe të mbushura me emocion, ashtu siç presin dashamirësit e festivalit më të madh të muzikës shqiptare.
“E dimë që mezi prisni publikimin e këngëve të Fest 64’, ndaj po punojmë me autorët që sa më shpejt të jenë gati për ju. Të jenë të përsosura nga ana teknike dhe të vijnë plot emocion tek ju dashamirës. Shumë shpejt do kemi datën dhe orën e publikimit. Shumë dashuri për ju”, thuhet në njoftim.
Në ditët në vijim pritet të shpallet data dhe ora zyrtare kur këngët e Fest 64’ do të publikohen, duke ndezur edhe më shumë emocionet për festivalin që këtë vit vjen me risi të shumta dhe një interes të jashtëzakonshëm nga publiku.













































