Showbiz
“Dua ta fitoj”, Erik Lloshi në Fest 64’ me një këngë për bashkëshorten
5 Nëntor, 2025 | 4:29 pm

Erik Lloshi rikthehet pas pesë vitesh në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH.
Në një intervistë në Radio Televizionin Shqiptar, këngëtari zbulon se ky rikthim është si një herë e parë për të.
“Për mua është hera e parë që do të këndoj me Orkestrën e RTSH sepse në debutimin tim ka qenë pandemia. E kam vuajtur shumë që nuk këndova me orkestër”.
Këtë vit prezantohet me një këngë të muzikuar nga kompozitori Flamur Shehu.
“Gjëja më e bukur që më ka ndodhur është ftesa nga ai që ka bërë historinë e muzikës shqiptare dhe të RTSH, siç është kompozitori Flamur Shehu. Nuk ka më bukur se me atë që mamaja ime ka pasur idhull si kompozitor, unë sot punoj dhe mbi të gjitha jam bashkëpunëtor sepse tekstin e kam shkruar vetë”.
“Dy pika dashuri” titullohet kënga e cila është një dedikim dashurie.
“Ka buruar nga shpirti. Nusja ime po të dojë mund të më hedhë në gjyq sepse edhe ajo ka shkruar dy rreshta (qesh). Është një këngë që ia kushtoj me gjithë zemër bashkëshortes sime sepse bashkë e kemi shkruar. Ajo ma kushton mua, unë asaj”.
Eriku shton se teksti është shkruar në një natë të ftohtë dimri, si frymëzim dhe jo i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
“Teksti u shkrua në ato netët e ftohta të dimrit por të ngrohta tonat, ku ishim bashkë në dhomën tonë. Në momentin që e kam shkruar me bashkëshorten time, nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta. Jo me AI, nuk kam qejf ta përdor sepse teksti duhet të burojë nga shpirti. Ndryshe nuk e këndoj dot”.
“Ky tekst mbetet dhe pikë”, është shprehur kompozitori i këngës, gjë që ngjalli habi tek këngëtari.
“Jam çuditur duke ditur që mjeshtri Flamur Shehu është shumë kërkues. Prisja që të kishte shumë kritika, por realisht nuk u ndryshua asnjë gërmë. Madje edhe bashkëshortja e Flamurit tha që është i vetmi tekst që e kam parë dhe nuk dija çfarë të ndryshoja”.
I pyetur se si ka qenë ndikimi që ka pasur kënga tek dëgjuesit e parë të saj, ai shprehet: “Bashkëshortja e ka pëlqyer shumë. Ka pasur impakt shumë të mirë. Unë i testoj këngët e mia te familjarët dhe sidomos te fëmijët. Mendoj që nëse fëmijët e fiksojnë, kënga është e suksesshme. Besoj është një këngë që do të ngelet”.
Kënga është një baladë pop-rock, e cila ka shumë vështirësi në të kënduarit ‘live’.
“Kënga nis dhe mbaron pas tre minutave vetëm duke kënduar. Është një nga këngët më të vështira që kam hasur. Madje kur kam regjistruar në studio, kam derdhur djersë sepse ka qenë një lodhje e paparë. Maestro Flamur Shehu ka dorën e rëndë. Edhe frymëmarrjet i do me pikëpresje aty ku duhet”.
Erik Lloshi vjen në Fest64 me ide të qarta dhe pritshmëri.
“Unë dua të marr çmimin e parë. Për këtë po vij të konkurroj në Festival. Të gjithë atë synim kemi, të 28 konkurrentët kanë synim çmimin e parë. Ndryshe mos konkurro. Nuk ka logjikë”.












































