Kryefjala Logo

Drejtoresha Eni Vasili nderon Orkestren Simfonike të RTSH-së me Çmimin e Karrierës

20 Dhjetor, 2025 | 12:07 am

Në natën e sotme të Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH u ndanë emocionet e një momenti të veçantë, ku u dha Çmimi i Karrierës, një vlerësim që iu dedikua kontributit të jashtëzakonshëm dhe të pandërprerë të Orkestrës Simfonike ndër vite në historinë e festivalit.

Çmimi u dorëzua nga drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila në fjalimin e saj theksoi rolin thelbësor të një institucioni artistik që ka qenë i pandashëm nga festivali që prej krijimit të tij.

“Jemi në momentin për të dhënë çmimin e karrierës. Çmimi i karrierës është shumë i rëndësishëm për të vlerësuar kontributin. Sot duam të vlerësojmë një artist të veçantë. Një artist i cili ka qenë në çdo festival prezent. E ka shoqëruar festivalin për 64 vite rresht. Pa atë artist ndoshta ky festival nuk do të bëhej kurrë. Çmimi i karrierës i shkon Orkestrës Simfonike të RTSH-së,” u shpreh Vasili.

Orkestra Simfonike e RTSH-së është një nga shtyllat kryesore të Festivalit të Këngës, duke shoqëruar ndër dekada qindra këngë, artistë dhe kompozitorë, e duke kontribuar në formësimin e identitetit muzikor të këtij eventi kombëtar. Prania e saj e pandërprerë për 64 vite përfaqëson një histori përkushtimi, profesionalizmi dhe dashurie për artin.
Ky vlerësim shërben jo vetëm si një falënderim për të shkuarën, por edhe si një nderim për rolin që Orkestra Simfonike e RTSH-së vazhdon të ketë në jetën artistike dhe kulturore të vendit.

Të ngjashme