Showbiz
Drama e jetës së Stenaldos: Humbi babain kur ishte 3 javësh dhe humbi shikimin 6 muajsh, nëna rrëfen gjithçka
15 Shkurt, 2026 | 6:03 pm

Një moment shumë emocional u transmetua këtë të diel në “Fan Club”, ku e ftuar ishte nëna e Stenaldos. Ajo preku zemrat e publikut me rrëfimin e saj të sinqertë, duke treguar sakrificat dhe betejat që ka kaluar ndër vite, si dhe lidhjen e fortë me të birin.
Mes emocioneve të forta, ajo u shpreh se e përjeton shumë më intensivisht eksperiencën e Stenaldos jashtë shtëpisë së “Big Brother”, duke jetuar çdo ditë me ankth dhe shqetësim për të.
“Jam shumë e emocionuar. Ndoshta unë e përjetoj edhe më shumë se ai. Gjithë kohës mendoj si po i shkon, por e shoh që ka forcë për të përballuar gjithçka. Stenaldo është forca ime, më ka dhënë arsye për të jetuar dhe për të mos u dorëzuar kurrë”, u shpreh ajo.
Ajo rrëfeu se ndarja nga djali për shkak të spektaklit nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi ata kanë qenë gjithmonë shumë të lidhur, duke komunikuar vazhdimisht edhe kur ai jetonte jashtë vendit.
“Që i vogël kemi kaluar çdo gjë bashkë. Edhe kur ishte në Gjermani flisnim shumë herë në ditë. Kur hyri në Big Brother ishte shumë e vështirë për mua. Ditën e fundit i thashë madje: ‘Mos hyr’, sepse e kisha shumë të vështirë ta përjetoja”, tregoi ajo.
Një nga momentet më të forta të rrëfimit ishte kur foli për periudhën më të dhimbshme të jetës së saj. Ajo tregoi se bashkëshortin e humbi kur Stenaldo ishte vetëm tre javësh dhe pak muaj më vonë mësoi se djali i saj ishte i verbër.
“Ka qenë një goditje shumë e rëndë. Thosha: ‘Pse o Zot, pse ia more babain dhe pse e le pa shikim?’. Por e kuptova që duhej të bëhesha e fortë për të. I thashë vetes: duhet ta rris dhe ta bëj të fortë, që kjo të mos e pengojë kurrë në jetë”, u shpreh ajo mes emocionesh.
Megjithatë, ajo theksoi se gjithmonë është përpjekur t’i mësojë Stenaldos të jetë i barabartë me të gjithë dhe të përballet me jetën me mendje të fortë.
Në fund, ajo komentoi edhe raportin e tij me Juelën, duke u shprehur se në fillim kishte një përshtypje shumë pozitive për të.
“Është vajzë e mirë, familjare, e rregullt. Në fillim më pëlqeu shumë, por nuk e di pse gjërat ndryshuan më pas”, përfundoi ajo.












































