Lajme nga vendi
Dorëheqja e Bahri Shaqirit, Meta: Gjithmonë korrekt, luajal, profesional e atdhetar
12 Nëntor, 2020 | 3:34 pm

Bahri Shaqiri dha dorëheqjen mesditën e sotme nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës.
Për këtë arsye, kreu i shtetit Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, falenderon ish shefin e SHISH për punën e kryer.
“Kënaqësi të bashkëpunoja me z.Bahri Shaqiri, për më shumë se tre vite, në detyrën e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare. Gjithmonë korrekt, luajal, profesional dhe atdhetar.
E pranova dorëheqjen e tij duke i uruar suksese për të ardhmen.
Do të na mungojë këtu në Institucion, por shpresoj që me Arin, do vazhdojmë të dalim për ecje nga liqeni”, shkruan Meta në postimin e tij, duke e shoqëruar me dy foto.
Pas dorëheqjes së Shaqirit, presidenti Meta emëroi si Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Spiro Koçi, i cili deri sot ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Diplomatik të Kreut të Shtetit.
















































