Lifestyle
WhatsApp sjell ndryshimin e madh, nuk do t’ju duhet më numri i telefonit
1 Korrik, 2026 | 11:18 am

WhatsApp po përgatit një nga ndryshimet më të mëdha të viteve të fundit, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të komunikojnë pa ndarë numrin e tyre të telefonit.
Platforma do të prezantojë sistemin e username-ve, ku çdo përdorues do të mund të krijojë një emër unik, përmes të cilit të tjerët do ta gjejnë dhe do t’i dërgojnë mesazhe, njësoj si në rrjetet e tjera sociale.
Kompania ka nisur tashmë t’u japë disa përdoruesve mundësinë të rezervojnë username-in e tyre, ndërsa funksioni pritet të jetë i disponueshëm për të gjithë në muajt e ardhshëm.
Deri më tani, për të kontaktuar dikë në WhatsApp ishte e nevojshme të kishe numrin e tij të telefonit. Me këtë risi, përdoruesit do të kenë mundësi të komunikojnë vetëm përmes username-it, duke rritur privatësinë dhe duke shmangur ekspozimin e numrit personal.
Username-t do të kenë nga 3 deri në 35 karaktere. Për të shmangur mashtrimet dhe imitimet, WhatsApp do të rezervojë emra të caktuar për figura publike, institucione dhe organizata të njohura.
Sipas kompanisë, nuk do të ketë një listë publike me username-t dhe përdoruesit nuk do të marrin sugjerime gjatë kërkimit. Për t’i shkruar dikujt për herë të parë, do të duhet të dinë saktësisht emrin e tij të përdoruesit.

















































