Kryefjala Logo

“Nuk kërkoj tjetër njeri”, Elton Deda rrëfeu historinë e baladës që u rikthye në Fest 64′

20 Dhjetor, 2025 | 6:56 pm

“Nuk kërkoj tjetër njeri” mbetet një nga baladat më të bukura të muzikës shqiptare, një këngë dashurie që ka sfiduar kohën dhe vijon të prekë publikun edhe pas më shumë se tre dekadash. Me tekst dhe muzikë nga Elton Deda, kënga u prezantua për herë të parë në Festival i Këngës dhe së fundmi u rikthye në vëmendje gjatë Fest 64, duke ngjallur emocione nostalgjie.

Elton Deda ka rrëfyer se e shkroi këngën në moshën 22-vjeçare, i frymëzuar nga ish-bashkëshortja e tij. Ai kujton se në atë periudhë përballë kishte edhe skepticizmin e të atit, i cili nuk ishte i bindur për rrugën e muzikës rock që ai kishte zgjedhur, duke preferuar muzikën klasike.

“E kompozova këngën pa i treguar askujt se do ta çoja në festival. Ia dërgova RTSH-së në një zarf dhe, kur babai e dëgjoi, më tha se ishte shumë e bukur. Atëherë e kuptova se kishte diçka të veçantë,” tregon Deda.

Realizimi i këngës u bë në kushte modeste, në një apartament në vitin 1995, në një kohë kur mungonin studiot profesionale muzikore. Deda falënderoi bashkëpunëtorët e asaj kohe: Arjan Gjicin në kitarë, Hektor Durin në kitarë bas dhe Shpëtim Saraçin për regjistrimin.

“E bëmë këtë këngë me shumë dashuri dhe edhe sot tingëllon shumë mirë,” u shpreh ai.

Në fund, Elton Deda përcolli një mesazh për artistët shqiptarë që të mos hezitojnë të marrin pjesë në Festivalin e Këngës: “Festivali është një skenë shumë e bukur. Çmimet nuk janë gjithçka, por veprat që krijohen aty mbeten. Na duhen më shumë këngë me peshë dhe krijime edhe më të bukura.”

Të ngjashme